Zëvendëspresidenti kuqezi: Braziliani është e ardhmja jonë. Është i pashitshëm. Do t’i rinovohet kontrata
Andrea Pirlo është i pashitshëm, me përjashtim të ndonjë oferte të rëndësishme; Pato është i pashitshëm dhe kaq. Adriano Galiani analizon merkatën e Milanit, duke folur për “xhevahirët” e çmuar të skuadrës kuqezi dhe për bisedimet për Dzekon.
PIRLO - “Për Pirlon nuk ka asnjë ofertë, - shpjegon administratori i deleguar kuqezi, - ndaj pashitshmëria ose jo e një lojtari lind kur ne në mënyrë korrekte i informojmë lojtarët për një propozim”. Pra, Çelsi është paralajmëruar. Vetëm një super-ofertë nga ana e klubin londinez, i drejtuar tashmë nga trajneri Ançeloti, do të mund ta bindë Milanin të shesë një nga mesfushorët më të mirë në botë në rolin e tij.
PATO DHE E ARDHMJA - Galiani është i kënaqur nga fjalët pozitive të yllit brazilian për Milanin (”Milani është jeta ime, unë dua të qëndroj. Të fitojë sa më shumë trofe dhe Ligën e Kampioneve para së gjithash. Megjithatë, të ardhmen time e vendos klubi”, - tha Pato para dy ditësh). Galiani zbulon një prapaskenë: “Kemi pasur vetëm një ofertë të vetme “monstër” për Paton nga Anglia, por nuk ju them se nga cili klub. Jam i kënaqur nga deklaratat e Patos. Me të kemi biseduar gjithnjë. Kur deklaratat vijnë nga larg (ndodhet në Afrikën e Jugut me kombëtaren), shpesh keqkuptohen, por në këtë rast janë shumë të qarta. Megjithatë nuk ka pasur dhe nuk ka dyshime.”
GATI KONTRATA - Numri dy i kuqezinjve i ka idetë e qarta mbi të ardhmen e sulmuesit 19-vjeçar: “Patos do t’i rinovohet patjetër kontrata, - vazhdon Galiani, - ndaj nuk do të ketë asnjë problem. Milani do ta rinisë nga ai, sepse besoj se nuk ka sulmues më të fortë në botë në moshën e tij”. Por për rinovimin duhet të presë ama: “Lojtari ka edhe tri vjet kontratë deri më 30 qershor të vitit 2012″.
Çështja “DZEKO” - Ndërkohë sulmuesi boshnjak i Volfsburgut Edin Dzeko mbetet zgjedhja e parë për sulmin kuqezi: “Nëse klubi gjerman do të na thërrasë, unë do të shkoj me vrap për të arritur marrëveshjen, - theksoi Galiani. - Është një e drejtë e tyre të mos shesin një lojtar të federuar, por nga ana tjetër e dimë se Dzeko kërkon të vijë te Milani. Si një drejtues i vjetër futbolli, them se është e pamundur të mbahen lojtarë në ekip kundër dëshirës së tyre. A di unë t’i bind? Do të përpiqem”.
Sisokho, Porto ngrin Milanin. S’ka ulje
Pikërisht kur të dyja palët dukeshin shumë pranë riafrimit, “dushi i ftohtë” për tifozët dhe drejtuesit kuqezinj vjen përmes shtypit portugez, ku presidenti i Portos, Pinto da Kosta, thekson: “Është e pamundur të mendosh huazimin e Sisokhosë, kur edhe mjeku i Milanit ka pranuar që problemi i dhëmbëve është i zgjidhshëm. Sisokho do të ikë vetëm për 15 milionë euro, asnjë më pak se kaq, ndaj nëse Milani nuk kthehet te propozimi i mëparshëm, nuk e kemi problem ta mbajmë lojtarin”.