Milani i parë i Leonardos do të shihet në aksion më 19 korrik, në Los Anxheles, kundër ekipit Galaksi të Devid Bekham. Por në verën e kuqezinjve janë të shumta takimet prestigjoze, duke filluar nga përballja e shumëpritur e 24 korrikut kundër Çelsit të Ançelotit dhe nga ajo e dy ditëve më pas në derbin e parë të sezonit kundër Interit. Me rikthimin në Europë, Milani, do të zhvillojë një miqësore në Gjermani, një në Portugali dhe natyrisht nuk do të mungojnë takimet tradicionale: Trofeu Tim me Juven dhe Interin dhe Trofeu Berluskoni me bardhezinjtë e Ferrarës. Më 25 gusht, pas fillimit të kampionatit, do të zhvillohet një miqësore luksi me Realin e Madridit të Kakàsë dhe Ronaldos që do t’i japë fund miqësoreve të verës së kuqezinjve.
PROGRAMI
Korrik - 19: Los Anxheles, Galaksi-Milan.
22: Atlanta, Klub Amerika-Milan.
24: Baltimorë, Milan-Çelsi.
26: Boston, Milan-Inter.
29: Mynih, Kupa Audi, Bajern-Milan.
30: Kupa Audi, sfidë kundër Mançester Junajted ose Boka Zhunior.
Gusht - 8: Lisbonë, Kupa Euzebio, Benfika-Milan.
14: Peskara, Trofeu Tim: Milan-Inter-Juve.
17: San Siro, Trofeu Berluskoni, Milan-Juve.
25: Madrid, Trofeu Bernabeu, Real Madrid-Milan.