27 qershor 2009

Sahiti kalon te Hysi

Fituesi i Kupës së Kosovës në futboll, Hysi ka angazhuar në krye të shtabit teknik trajnerin e deritanishëm të Gjilanit, Muharrem Sahitin. Kështu, së paku për një vit Sahiti do ta drejtojë skuadrën llapjane. Lajmin e ka konfirmuar sekretari i Hysit, Agim Luta. “Sahiti është aktualisht në Suedi me përfaqësuesen e Kosovës. Por, ne kemi arritur marrëveshje një ditë para se ai të udhëtojë drejt Suedisë. Sezonin që vjen Hysin do ta drejtojë Muharrem Sahiti, por ekziston mundësia që ai të mbetet tek Hysi edhe për më gjatë”, ka deklaruar Luta për Express.Ai ka treguar se skuadra e tij është në bisedime edhe me tre futbollistë të përfaqësueses së Kosovës, të cilët i ka propozuar vetë Muharrem Sahiti, por nuk ka dashur t’i bëjë publikë emrat e tyre. Ndërsa ditë më parë Hysi është përforcuar edhe me tre futbollistë të tjerë – Dukagjin Gashin, Agron Cacaj dhe Krenar Kosumin. “Sapo të kthehet përfaqësuesja nga Suedia presim t’i finalizojmë bisedimet edhe me tre futbollistë të tjerë që luajnë edhe për përfaqësuesen e Kosovës. Ata i ka kërkuar vetë Sahiti. Edhe tre tjerë tashmë dihet se i kemi marrë dhe me këto përforcime Hysi besoj se do të jetë kandidat shumë serioz për titullin e kampionit”, theksoi Luta. Në anën tjetër, Muharrem Sahiti ka pranuar se është pranë kalimit të tij te Hysi, por fillimisht dëshiron t’i qartësojë gjërat me klubin e tij të deritanishëm, Gjilanin.“Të premten kam takim me drejtuesit e Gjilanit dhe do të bisedoj fillimisht me ta. Nëse nuk mbetem të premten në Gjilan, atëherë të shtunën kam takim me drejtuesit e Hysit. Ende nuk kemi arritur marrëveshje përfundimtare me Hysin. Por, jemi afër marrëveshjes. Nëse largohem nga Gjilani, 99 për qind do të shkoj te Hysi”, tha Sahiti për Express. Ndërsa Agim Luta ka thënë se trajneri i deritanishëm i Hysit, Luan Prekazi, me të cilin kjo skuadër fitoi kupën këtë stinor, do të angazhohet kryesisht në shkollën e futbollit të këtij klubi. Ai ka treguar se shumë shpejt stadiumi i Hysit në Meredare do të pajiset me karrige. Po ashtu ai tha se do të ndërtohet edhe një stadium ndihmës.