04 qershor 2009
Rosi-Lacio, çështja kthehet në mister
Rosi bën një hap mbrapa. Trajneri i Lacios, ka përgënjeshtruar se ka thënë “vitin e ardhshëm nuk do të jem më trajner i Lacios dhe këtë natë do t’ia komunikoj vendimin tim Lotitos”. Por nga fjalët e tij kuptohet se marrëdhënia me klubin bardhekaltër, dhe në veçanti me presidentin ka ardhur në fund. “Pas dy javësh nuk ka ardhur asnjë përgjigje e Lotitos dhe asnjë kërkesë për t’u takuar. Problemi qëndron tek fakti se kur jam takuar me presidentin dhe kemi folur për gjithçka ai më ka kërkuar 3-4 ditë kohë për të më dhënë një përgjigje. Prej këtij momenti kanë kaluar pesëmbëdhjetë ditë, kjo do të thotë se ka marrë vendime të tjera ose nuk e ka pasur me nxitim. Unë nuk nxitoj, por kam ndjesinë se këtu ekziston frika për të bërë lëvizjen e parë. Unë nuk kam probleme të tilla, një njeri duhet të marrë përsipër përgjegjësitë, që i takojnë në jetë. Dikush do të duhet ta bëjë lëvizjen e parë. Në jetë duhen bërë zgjedhje dhe duhen marrë vendime. Dhe për këtë ekziston koha dhe mënyra e caktuar”, ka thënë Rosi.