04 qershor 2009

Elano-Felipe Melo: Duam të luajmë me Interin

Inter, mjafton emri. Elano entuziazmohet kur e pyesin për Interin e Mourinjos. “Po zhvillohen negociata. Interi më pëlqen shumë. Sigurisht, unë jam i lidhur me një kontratë me Mançester Sitin. Por shpresoj se drejtuesit zikaltër të mos ndalen para kësaj ‘pengese’. Mua do të më pëlqente shumë të vishja fanellën e Interit. Mourinjo është i madh, skuadrat e tij kanë lënë gjithmonë një shenjë. Dhe të gjithë lojtarët që kanë punuar me trajnerin zikaltër e konsiderojnë një fenomen. Interi ka një trajner të madh, por edhe shumë kampionë të mëdhenj. Shpresoj që shoku im Hulio Sezar të thotë ndonjë fjalë të mirë për mua”. Mançester Siti nuk ka ndërmend ta shesë, por nuk do të fillojë një luftë me lojtarin. Gjithçka do të varet nga oferta që do të bëjnë njerëzit e presidentit Morati. Përsa i përket Elanos, ai është kaq shumë entuziast për një kalim të mundshëm tek Interi, saqë do të ishte i gatshëm të firmoste menjëherë një kontratë me sy mbyllur. Për Interin ka folur edhe Felipe Melo. Oferta e milionave plus Burdison po vlerësohet nga Fiorentina. Mesfushori ka konfirmuar. “Manaxheri im po diskuton prej kohësh me drejtuesit zikaltër. Interi është një skuadër e madhe dhe të gjithë lojtarëve u pëlqen të jenë pjesë e një ekipi të madh. Por edhe Fiorentina ka zhvilluar një sezon të rëndësishëm, duke arritur një objektiv prestigjoz. Do të isha i kënaqur edhe po të qëndroja me skuadrën vjollcë. E ardhmja ime është në duart e agjentit tim. Për momentin dua të përqendrohem në maksimum tek dy ndeshjet e ardhshme të vlefshme për fazën kualifikuese të Botërorit. Fanella e Seleçaos është më e rëndësishme se të tjerat”. Pra Elano dhe Felipe janë gati për t’u transferuar drejt Milanos zikaltër.