04 qershor 2009

Rasti i fundit për Anglinë

Steven Gerrard pohon se Afrika e Jugut 2010 do të jetë rasti i tij e fundit për ta fituar Botërorin. Ai do t’i ketë 30 vjet dhe dyshon se do të jetë pjesë e Anglisë në Botërorin 2014. Kërkon fitore në dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Anglisë, të cilat do t’ia siguronin kualifikimin në Botëror. Me ndihmën e bashkëlojtarëve dhe të selektorit Fabio Capello, ylli i Liverpoolit ëndërron ta ngritë lart Kupën e Botës.
Steven Gerrard thotë se Afrika 2010 do të jetë mundësia e fundit për të që ta fitojë një botëror. Ai vitin e ardhshëm do t’i mbushë 30 vjet dhe nuk mendon se do ta presë Botërorin 2014 në fanellën e Anglisë. Pasi e kishte fituar Ligën e Kampionëve me klubin e tij Liverpool në vitin 2005, mesfushori anglez ëndërron ta përfundojë karrierën edhe si kampion bote. Anglia mund ta sigurojë kualifikimin në botëror nëse i fiton dy ndeshjet e radhës: të shtunën kundër Kazakistanit dhe të mërkurën kundër Andorrës.“Nëse luajmë si në ndeshjet e fundit, që kur ka ardhur Capello këtu, mund t’i fitojmë dy ndeshjet e ardhshme. Jam optimist, ne do të kualifikohemi në Botëror. Kur të shkojmë atje (në Afrikë), unë do të jem 30 vjeç. Për mua kjo do të jetë mundësia e fundit për të arritur sukses në Botëror, për këtë jam më shumë i motivuar. Sepse nuk jam i sigurt nëse do të jem në Botërorin e ardhshëm, atëherë do t’i kem 34 vjet”, theksoi Gerrard për tabloidin britanike The Sun.Gerrard ia ka lakmi se si David Beckham është në formë të tillë dhe se si ai do të jetë pjesë e Botërorit kur vitin e ardhshëm i mbushë 35 vjet, 5 vjet më shumë se Gerrard. “Ai është Beckham. David po kalon nëpër një formë fantastike. Sigurisht, ai është model i duhur për mua, nëse do të jem duke luajtur në moshën e tij si ai, nuk do të doja asgjë më shumë”, pohoi ai. Sidoqoftë, as Gerrard nuk e ka ndërmend të pensionohet nga futbolli. “Unë e dua futbollin dhe do të doja të luaja sa të mundem për Liverpool dhe për Anglinë. Por, për momentin jam i koncentruar te Kazakistani e jo për gjëra të tjera”, shtoi ai.Fabio Capello e ka sjellë freskinë në Kombëtaren angleze. Gerrard mendon se me ekspertin italian, Anglia mund të arrijë sukses në Botërorin 2010. “Ne kemi bërë progres të madh, jemi bërë më të fortë dhe më shumë se një klub. Në të kaluarën ishim lodhur duke luajtur individualisht, por menaxheri aktual është i fokusuar kryesisht në skuadër. Për momentin e kemi mentalitetin e duhur dhe duhet të vazhdojmë me fitore. Këto e sjellin besimin. Capello mund të bëjë gjithçka. Ai mund të jetë çelës i ynë drejt triumfit në Botëror. Jam i lumtur që e kemi këtu, është kënaqësi të punosh me të dhe me stafin e tij”, vazhdoi Gerrard.Në fund, mesfushori anglez e lavdëroi përfaqësuesen e Spanjës, të cilën e konsideron si favorite për Botërorin 2010. “Është e vështirë të them se sa larg është nga ne, por mund të them se Spanja ka ekip fantastik, bën lojë mjaft të bukur për sy. Është favorite masive për Afrikën e Jugut 2010. Është e lehtë t’i komentosh futbollistët si Xavi e Iniesta. Ata janë lojtarë klasi. Nëse janë në formën e tyre, është vështirë të luash ndaj tyre apo më mirë e pamundur. Ne kemi 12 muaj kohë për t’u përmirësuar dhe për ta sfiduar Kupën e Botës”, përfundoi kapiteni i Liverpool, Steven Gerrard, i cili për momentin është i grumbulluar me përfaqësuesen angleze.