04 qershor 2009
Ibra e tremb Interin
Nga grumbullimi i Kombëtares suedeze, Zlatan Ibrahimovic ua ka dhënë një tjetër shpullë tifozëve të Interit, duke konfirmuar se nuk dëshiron të bëhet legjendë e klubit Nerazzurr dhe duke i lënë të hapura dyert e largimit. “Nuk jam si Maldini. Nuk e shoh veten me fanellë të të njëjtit klub për shumë vite. Kur kam arritur në Itali, të gjithë thoshin se isha një futbollist fantastik, por jo një që shënon shumë gola. Tash jam golashënues, dëshiroj të dëgjoj tash se çka thonë. Nuk kam luajtur kurrë më parë në këtë nivel, jam absolutisht në formën time më të mirë. E ndiej se po përmirësohem çdo ditë”, theksoi Ibra. Sulmuesi suedez i ka dhënë një sinjal të qartë Barcelonës, e cila në të njëjtën kohë po dëshiron ta shesë sulmuesin kamerunas Samuel Eto’o. “Barcelona luan futboll fantastik, duket si një skuadër e vitit 2015”, tha në fund sulmuesi suedez i cili duket se është zgjedhja e parë e trajnerit të klubit katalunas, Pep Guardiola.