27 qershor 2009

Pesha Reale: 13 milionë euro në vit

Cristiano Ronaldo do ta kompletojë transferimin e tij rekord prej 93 milionë eurosh nga Manchester Unitedi te Real Madridi më 1 korrik, pasi do të nënshkruajë kontratë gjashtëvjeçare.Man. Utd e ka pranuar ofertën e Realit për 24-vjeçarin më 11 korrik, duke e konfirmuar në ueb faqen e vet zyrtare se transferimi është finalizuar. Real Madridi e ka blerë zyrtarisht Cristiano Ronaldon për 93 milionë euro. Klubi spanjoll e ka konfirmuar këtë lajm të premten mbrëma.Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Ronaldo, do të paguhet 13 milionë euro në sezon, një më shumë sesa Zlatan Ibrahimovici, duke u bërë kështu futbollisti më i paguar në rruzull. “Real Madridi CF dhe Manchester Unitedi janë marrë vesh përfundimisht për transferimin definitiv të Cristiano Ronaldos te klubi spanjoll më 1 korrik. Futbollisti do të qëndrojë në Real Madrid për gjashtë sezone”, shkruante në ueb faqen zyrtare të Realit.24-vjeçari Ronaldo paguhej 7.5 milionë euro në vit në Old Trafford. Përfaqësuesi portugez do të bëhet zyrtarisht futbollist i Realit më 1 korrik, ndërsa do të prezantohet te 9 herë kampioni i Evropës, të hënën, më 6 korrik.Manchester Unitedi do t’i marrë të gjitha paratë nga shitja e futbollistit, javën e ardhshme. Nga ueb faqja zyrtare e klubit nga Premierliga njoftojnë: “Largimi i Ronaldos është kompletuar pasi Real Madridi e Manchester Unitedi e kanë finalizuar marrëveshjen për transferimin e tij të premten mbrëma. Mesfushori portugez largohet për shumën rekorde prej 93 milionë eurosh, ofertë e cila ishte bërë nga klubi spanjoll më 11 qershor. Që atëherë ai ishte në pushim, por ai do të rikthehet të punojë me klubin e tij, pasi të kompletohet shitja e tij të mërkurën, më 1 korrik”.Ronaldo do të jetë pjesë kryesore e Realit të ri të presidentit energjik, Florentino Perez, i cili synon t’i rikthejë ditët e arta të klubit në Evropë. Përpos Ronaldos, Reali ka transferuar edhe mesfushorin brazilian, Leite Kaka nga Milani, ndërsa e ka në shënjestër edhe mesfushorin e Bayern Munchenit, francezin Franck Ribery.