27 qershor 2009

Bierhof-Milanit: Merre Dzekon, shënon gola

Ish-sulmuesi kuqezi “sponsorizon” blerjen e boshnjakut të Volfsbugut: Ka uri dhe të ardhme

Pas lajmeve se Edin Dzeko është gjithnjë e më shumë pranë Milanit, vjen dhe gjykimi i dikujt që e njeh mirë: Oliver Bierhof, ish-qendërsulmues i Milanit, e ka pasur para syve “bomberin” boshnjak, që ëndërron të luajë me fanellën kuqezi. “Dzeko ka shënuar shumë dhe nga të gjitha pozicionet. Mund t’i bëjë punë Milanit”, - tregon ish-sulmuesi gjerman.

- Po të tjera cilësi?

- Është i qetë, i ekuilibruar dhe bujar.

- Por a është i pjekur për Serinë A?

- Nuk është një emër i madh, por është i përshtatshëm për situatën ekonomike të Milanit. Ka uri dhe të ardhme.

- Nga Milani ka ikur Kakà dhe tifozët s’e pranojnë ndryshimin.

- I kuptoj ndjesitë e tyre, por një rithemelim duhet të bazohet tek këta lojtarë, jo te kampionët e lodhur dhe pa dëshirë.

- E keni fjalën për Ronaldinjon?

- Jam shumë larg për të gjykuar një fushatë blerjesh. Nëse është e vërtetë ajo që dëgjohet, ka ardhur momenti të kufizohen shpenzimet e mëdha. Nëse mungojnë fondet, duhen lojtarë me çmime të ulëta, por me shumë energji. Dhe Dzeko është një nga këta.

- Dzeko a i ngjan Bierhofit?

- Jo, është më i zhdërvjellët.

- Ju jeni menaxheri i kombëtares gjermane. Kampionët e botës u kthyen në shtëpi. Ju për konkurrencën çfarë mendoni?

- Është një sinjal që Italia duhet të ndalojë për të reflektuar.

Ne humbëm 4-1 me “axurrët” në Firence dhe kolauduam skuadrën për Kupën e Botës në 2006-ën. Është e vështirë të drejtosh një grup pasi ka fituar Botërorin: duhet kuptuar nëse të vjetrit janë të tepërt, por zgjidhja nuk është se u duhet besuar patjetër të rinjve. Duhen futbollistë jo të shtrydhur, por me përvojë.

- Si e rindërtuat sektorin e të rinjve?

- Me ndërhyrje radikale, nga 2000-shi. Përzgjedhjet më të mira, strukturat më të mira. Nga 2004-a, me ardhjen e Klinsmanit, sot për këtë sektor kujdesen sikur të ishte skuadra e parë kombëtare: taktikë, teknikë, përgatitje fizike. Edhe ata kanë një psikolog. Është e vërtetë që te skuadra U-21, nëntë titullarë nga 11-të nuk kanë lindur në Gjermani (janë ganezë). I kemi rritur, federata favorizon integrimin e djemve dhe të familjeve të tyre dhe në fund janë ata që zgjedhin se me cilën kombëtare duan të luajnë. Qëndrojnë me ne sepse ndihen të vlerësuar dhe të rëndësishëm në territorin ku jetojnë. Futbolli fshin ndryshimet kulturale.