27 qershor 2009
Perdedaj, Gattuso kosovar
Hertha Berlin në ditën e parë të përgatitjeve për sezonin e ri ka prezantuar talentin me prejardhje nga Kosova, Fanol Perdedaj. Ky i fundit nuk është transferuar nga ndonjë klub tjetër, por nga ekipi U-19 i Herthas ka kaluar tek ekipi parë. Trajneri i klubit nga kryeqyteti gjerman, Michael Preetz, ka ftuar 17 vjeçarin në ekipin e parë, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme që ka treguar me skuadrën e të rinjve në sezonin e sapo përfunduar. "Ne edhe në vitet e kaluara kemi pasur talentet më të mëdhenj. Fanoli tashmë është i vetmi që do kalojë direkt në kategori më të lartë", ka thënë për mediat gjermane shefi i juniorëve të Hertha Berlinit, Frank Vogel. Mesfushori kosovar vlerësohet si talent më të ardhme të madhe. Madje Vogel, 17 vjeçarin e krahason me yllin e skuadrës së Milanit dhe Kombëtares së Italisë, Gennaro Gattuson. "Në ekipin junior ai gjithmonë është krahasuar me Gennaro Gattuson. Dhe stili i tij me të vërtet mund të krahasohet me atë", ka theksuar Vogel. Perdedaj në skuadrën e Herthas ishte transferuar vitin e kaluar nga klubi FC Wilmersdorf që garon në ligat inferiore gjermane. Nëse ai arrin të debutojë në fanellën e këtij klubi, atëherë numri i kosovarëve në elitën e futbollit gjerman do të rritet në gjashtë. Sezonin e ri në Bundesliga pritet të luajnë këta kosovarë: Valdet Rama (Hannover ’96), Albert Bunjaku (Nurnberg), Mërgim Mavraj (Bochum), Faton Toski (Eintracht Frankfurt) dhe Bajram Sadrijaj (Borussia Dortmund). Në sezonin që e lamë pas Hertha kampionatin gjerman e ka përfunduar në vendin e katërt me 63 pikë të tubuara, gjashtë më pak se kampioni i Gjermanisë Wolfsburg. Vendi i katërt ekipit nga kryeqyteti gjerman ia ka siguruar pjesëmarrjen në Europa League (ish kupa UEFA).