27 qershor 2009
Barça nuk frikësohet
Real Madrid vazhdon të përforcohet për sezonin e ardhshëm, por Barcelona nuk frikësohet. Mesfushori i gjigantit katalan, Andres Iniesta ka theksuar se klubi nuk ka arsye për t’u brengosur për sezonin e ri në La Liga. Real Madrid, deri më tani gjatë këtij afati kalimtar të verës, ka shpenzuar afro 180 milionë euro për transferimin e Leite Kakas nga Milan, Cristiano Ronaldos nga Manchester United (i cili ka mbetur të nënshkruajë kontratë me Realin) dhe së fundi mbrojtësin Raul Albiol nga Valencia. Por, Iniesta thotë se Barcelonës nuk i interesojnë përforcimet e rivalit kryesor. “Ata (Kaka dhe Ronaldo) janë dy prej futbollistëve më të mirë në botë, por nuk kemi për çka t’ua kemi zili”, tha Iniesta gjatë një interviste me të përditshmen sportive spanjolle AS. “Ne kemi kaluar një sezon të shkëlqyeshëm dhe gjithmonë kam besuar se gjërat do të shkojnë mirë për ne”, shtoi ai. Reprezentuesi spanjoll ka shpjeguar një xhirim të tij në moshën 11 vjeçare, kur deklaroi dashurinë ndaj Real Madridit. “Ekipi im i parë ishte Albacete, ndërsa i dyti Barcelona, por një fundjavë jemi takuar mes vete dhe Barcelona shënoi shtatë gola kundër nesh. Kjo ishte arsyeja pse kisha përmendur Realin. Pas kalimit në Barcelonë jam zhvilluar si futbollist dhe Barcelona e Katalunia m’i ka dhënë të gjitha mua dhe familjes time. Kjo është arsyeja pse dua të kaloj gjithë karrierën time si futbollist në Nou Camp”, u shpreh ai. Në fund Iniesta, i cili aktualisht është duke u rikuperuar nga një lëndim, komentoi eliminimin e papritur të Spanjës nga Kupa e Konfederatave. Kampioni i Evropës u mposht 2-0 nga SHBA në ndeshjen gjysmëfinale. “Kjo vetëm sa tregon se nuk është lehtë të fitohen këto ndeshje. Të gjithë në Spanjë ishin duke menduar për finale me Brazilin”, përfundoi ai.