“Mendoj se mjafton me kaq”, është shprehur Pavel Nedved lidhur me përfundimin e karrierës së tij tek Juventusi. “Që sot (dje) nuk do të vrapoj më, duhet të qëndroj afër familjes sime, – ka shtuar mesfushori. – Është një ditë e vështirë për mua, por edhe shumë e bukur, sepse kam ndjerë dashurinë që të tjerët kanë për mua, dashurinë e shokëve të skuadrës dhe të tifozëve. Dua t’i falënderoj se më kanë mbështetur shumë. Mund të largohem i qetë, sepse e di që kemi bërë gjëra të mëdha tek Juventusi”.
Menaxheri Pavel Nedved ka përfunduar historinë e tij me Juventusin, por mund të hapë atë me Lacion, të cilën e ka ndërprerë në verën e vitit 2001, pikërisht për të veshur fanellën bardhezi. “Një rikthim tek Lacio? Edhe mund të ndodhë, sepse ai nuk i ka dhënë lamtumirën futbollit, – ka deklaruar Mino Raiola, menaxheri i çekut. – Është e vështirë, nëse unë e njoh aq mirë sa mendoj, që ai të luajë në ndonjë skuadër tjetër. Por Lacio ka një vend shumë të madh në zemrën e tij dhe për këtë arsye ndryshon nga të tjerat. Gjithsesi, unë do të përpiqem që ai të luajë në ndonjë klub të madh”. Më pas Raiola ka vazhduar: “Nuk kemi bërë asnjë tratativë financiare me Juventusin. Ai nuk kishte më asnjë arsye që të vazhdonte karrierën e tij këtu, por jo për arsye ekonomike. Pavel ka rënë gjithmonë dakord me bardhezinjtë përsa i përket pagesës, si në Serinë A, ashtu dhe në B. Pra kjo nuk ka qenë asnjëherë problem. Po të isha në vend të drejtuesve të Juves do të shqetësohesha për të gjetur zëvendësuesin e tij”.