Juventusi ka arritur fitoren e dytë gjatë kohës që Çiro Ferrara ka marrë drejtimin e pankinës bardhezi. Dhe ndoshta nuk do të jetë e fundit, pasi ai është një nga pretendentët kryesorë për të qenë trajneri i ardhshëm i “Zonjës së Vjetër”. “Mendoj se bilanci është pozitiv, – ka thënë Ferrara. – Kur thashë se duhet të fitonin 7 pikë në dy ndeshje bëra shaka, por thelbi ishte që
lojtarët të kuptonin rëndësinë e dy sfidave të mbetura. I falënderoj të gjithë, edhe ata që nuk kanë luajtur, por që janë stërvitur seriozisht: ishte shumë e rëndësishme që ne të renditeshim në vendin e dytë në klasifikim”.
E ardhmja – “Mendoj se është diçka shumë e rëndësishme për sukseset e një skuadre nëse lojtarët dhe trajneri kanë një marrëdhënie të mirë së bashku. Ata më kanë ndihmuar shumë, e kanë respektuar atë që unë i kam caktuar për të bërë. Sa për të ardhmen time këtu, nuk e di ende se çdo të bëj, por ndërkohë, nuk më pëlqen që të vetofrohem. Nëse drejtuesit e vlerësojnë punën time, unë jam gati”.
Mallëngjimi – Kur ka mësuar se ish-shoku i tij i skuadrës është shumë afër rinovimit të kontratës me Barin, Ferrara ka deklaruar: “Nëse largohen vetë... Gjithsesi, unë kontratën e kisha”. Ndërkohë, trajneri aktual i bardhezinjve nuk ka dashur të bëjë batuta lidhur me marrëdhënien që ka me drejtuesit e shoqërisë, ata të cilët vendosën të shkarkonin Ranierin. “Mendoj se, nëse veteranët e formacionit bardhezi do të silleshin siç kanë bërë gjatë këtyre dy javëve, probleme do të kenë vetëm kundërshtarët e tyre. Unë mund të them vetëm se menaxhimi i këtyre kampionëve të mëdhenj nuk ka qenë aspak një gjë e lehtë. Jam përpjekur që ta shfrytëzoj këtë mundësi në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë personalisht kam një marrëdhënie të mirë me drejtuesit – ka vazhduar ai. – Përsa i përket diferencës së Juves me Interin, mendoj se ajo ekziston, sepse zikaltrit e kanë merituar titullin dhe pastaj ata kanë vite që fitojnë, por gjithsesi Juventusi është përmirësuar shumë”. Përsa i përket Nedvedit, Ferrara është shprehur: “Jam mallëngjyer, sepse do të largohet një kampion, por duhet ta respektojmë zgjedhjen e tij, edhe pse na vjen keq”.