Trajneri i Interit parashikon se ardhja e Militos dhe e Tiago Motës do ta forcojë skuadrën
Pas festës së titullit, që ishte arritur dy javë para fundit të kampionatit, Hoze Mourinjo mendon që tani për sezonin që vjen. “Do të jetë më i vështirë, sepse kundërshtaret tona do të jenë më të forta”, - është analiza e trajnerit kampion të Italisë. Trajneri portugez është i kënaqur edhe nga blerjet e para në merkato nga ana e zikaltërve: më saktë Tiago Mota dhe Milito, edhe pse një mendim e çon te Ibrahimoviçi, akoma i pavendosur të vazhdojë ose jo aventurën e tij në Itali: “Ne duam që Ibrahimoviç të luajë së bashku me Militon, - deklaron Mourinjo. - Është ky objektivi ynë: Ibra ka treguar se është vendimtar për Interin dhe i ka të gjitha kushtet për të vazhduar këtu, sepse edhe ai e di që me Tiago Motën e Militon, klubi mund të përmirësohet dhe që Interi mund të vazhdojë të fitojë”.
Objektivat pra, janë të njëjtë edhe për sezonin e ardhshëm: titulli dhe para së gjithash Liga e Kampioneve. “Interi ka fituar në vitet e fundit, është një skuadër që e njeh shijen e fitores, - vazhdon tekniku portugez, - por kërkon të fitojë sërish. Presidenti Morati dhe klubi janë ambiciozë. Një pjesë e rëndësishme e organikës përfundon një cikël, ndaj për të ardhmen kemi menduar të bëjmë ndonjë ndryshim. Na vjen keq që shohim të na largohen lojtarë si Figo (tërhiqet nga futbolli) apo Krespo (do të ndryshojë skuadër), por duhet të shohim drejt së ardhmes dhe për këtë menduam të marrim Militon dhe Tiago Motën. Vitin që vjen duam të arrijmë sa më larg në Ligën e Kampioneve”.
Ndërkohë, një nga protagonistët e këtij sezoni triumfues për Interin ka qenë edhe Esteban Kambiaso, autori i golit që i lejoi zikaltrit të barazojnë rezultatin 3-3, duke shënuar pas një minute golin e fitores me Ibrën kundër Atalantës. “A ishte si një nga golat e zakonshëm që shënoj unë? Nuk e di, me sa duket jam i përshtatshëm për të shënuar këto lloj golash”.
Një sondazh bëhet nga vetë argjentinasi që përgjigjet: “Cili ishte goli më i bukur i sezonit? E mendon si trajneri ynë dhe këtë e gjykoj mbi bazën e rëndësisë, ndaj besoj se ndoshta është ai i Hernan Krespos me Romën, sepse u shënua në një moment të veçantë të sezonit dhe është e bukur, pasi ai që s’ka pasur fatin të luajë shpesh si Hernani apo Kruz, ka arritur që në fund të jetë vendimtar. A do të jetë vitin e ardhshëm kampionati më i vështirë? Nuk e di, por ky që sapo u mbyll, për ne futbollistët nuk ishte aspak i lehtë: ndryshuam trajner dhe erdhi një që të bënte presion për faktin se është fitues dhe ne i detyrohemi Mourinjos që fituam me të, ndryshuam metoda në stërvitje, ndryshuam taktikë, por zakoni i të fituarit ka mbetur”.