Pas largimit nga Greuther Furth, Shqipron Skeraj ka zgjuar interesimin e klubit italian, Bari, i cili në sezonin e ri do të garojë në Serie A. Për mbrojtësin prizrenas, të interesuar janë edhe ekipi zviceran, Aarau dhe klube nga Bundesliga 2.
Mbrojtësi prizrenas, Shqipron Skeraj, pasi ka përfunduar aventurën me skuadrën nga Bundesliga 2, Greuther Furth, ka zgjuar interesimin e disa ekipeve. Për t’i siguruar shërbimet e futbollistit kosovar, interesim kanë shprehur disa skuadra nga liga të ndryshme evropiane. Në mesin e tyre është edhe Bari, i cili edicionin e ri do të garojë në Serie A të Italisë. Këtë e ka konfirmuar vetë futbollisti për gazetën Express. “Menaxheri më ka njoftuar se për mua janë të interesuara disa skuadra nga Serie B. Në mesin e tyre është edhe Bari”, ka thënë 23-vjeçari. Mirëpo, italianët nuk janë të vetmit që interesohen për kosovarin. Sipas ish-anëtarit të Lirisë dhe FC Prishtinës, interesim për të ka shprehur ekipi zviceran, Aarau, dhe disa skuadra të tjera nga Bundesliga 2. “Menaxheri më ka njoftuar se të interesuara janë edhe disa skuadra nga Bundesliga 2, prej të cilave edhe ato që kanë hyrë tani nga Bundesliga 3. Emrat e tyre ende nuk m’i ka treguar menaxheri. Ofertë kam edhe nga Aarau”, theksoi Skeraj. Skuadrat, të cilat tashmë janë ngjitur në Bundesliga 2 janë Union Berlin dhe Fortuna Dusseldorf. Megjithatë, ai thotë se brenda një apo dy javësh, do të qartësohet e ardhmja e tij. “Me dëshirë do të luaja në futbollin italian, por gjasat janë më të mëdha që të mbetem në ndonjë skuadër gjermane apo zvicerane. Menaxheri im kontakte më të thella ka me klubet e këtyre vendeve, sesa me ato italiane. Por, brenda një apo dy javësh do të dihet e ardhmja ime”, theksoi Skeraj, i cili gjatë verës nga FC Prishtina ishte transferuar te Greuther Furthi, ku nuk arriti të luajë shumë.