27 qershor 2009

“Milan, 30 mln € s’janë asgjë për Fabianon”

Menaxheri i qendërsulmuesit brazilian, Luis Fabiano, i tregon klubit kuqezi të Milanit rrugën që duhet të ndjekë për të arritur te sulmuesi i Seviljes. “Fabiano ka edhe dy vjet kontratë me spanjollët, – shpjegon Hoze Fuentes. – Në kontratën që Lusi ka nënshkruar me Seviljen gjendet edhe një klauzolë, e cila i lejon prishjen e marrëveshjes, kundrejt 30 milionë eurove. Për të qenë realistë, për momentin ekzistojnë vetëm 4-5 klube që mund t’ia lejojnë vetes të paguajnë një çmim të tillë, por besoj se një shifër e tillë nuk është një investim i gabuar, kur mendohet se me ato parà do të blihet një sulmues si Luisi. Kush është i interesuar për Fabianon të bisedojë fillimisht me Seviljen dhe vetëm më pas mund të ndërhyjë unë”. Klubi spanjoll kërkon për brazilianin 30 milionë euro, çmim ky i padiskutueshëm, mbi të gjitha nëse klubi qeveriset nga një president kokëfortë si ai i Seviljes, Del Nido. Dhe me sa duket këtë gjë e ka provuar mbi kurriz edhe menaxheri i Milanit për Spanjën, Ernesto Bronxeti: “Presidenti i Siviljas është nga ata presona që nuk të fal asnjë euro, madje as babait të tij nuk do i ulte një euro për Luis Fabianon. Megjithatë, unë mbetem i mendimit se Milani për 30 milionë euro mund të sigurojë ndonjë futbollist tjetër më të përshtatshëm për kampionatin italian”.