27 qershor 2009

Maradona paguhet shtrenjtë

Legjenda argjentinase, Diego Maradona ka nënshkruar kontratë për të vazhduar detyrën e selektorit të ekipit kombëtar. Maradona do të përfitojë 860 mijë euro për vitin e parë në post, me 139 mijë euro në muaj që mbulon periudhën prej nëntorit 2008 deri tetor 2009. Marrëveshja nënkupton se Maradona, i cili ka drejtuar Argjentinën nga nëntori 2008 por pa nënshkruar kontratë, do të mbetet në detyrë së paku deri në fund të kualifikimeve për Kampionatin botëror në tetor. Nëse Argjentina kualifikohet për garën e vitit 2010 në Afrikën Jugore, atëherë me siguri Maradona do të vazhdojë kontratën. Lajmi do të jetë befasues për ish selektorët e Argjentinës, Daniel Passarella, Marcelo Bielsa, Jose Pekerman dhe Alfio Basile, të cilët ishin paguar mes 40-50 mijë dollarë në muaj. Federata e Futbollit e Argjentinës e ka arsyetuar kontratën e Maradonës me ndikimin pozitiv që ka krijuar ai në ekip, duke zgjuar numër rekord të tifozëve dhe përfitime më të mëdha nga sponsorët. Maradona së fundi ishte në qendër të kritikave, pasi Argjentina ra në pozitën e katërt në zonën kualifikuese të Amerikës Jugore për Kampionatin botëror 2010. Rënia në pozitën e pestë do ta detyrojë Argjentinën të luajë në play-off, ndërsa më poshtë se kaq do të rezultojë me eliminim.