27 qershor 2009

Mançester Siti në sulm për Maikonin

Klubi anglez ka ofruar 22 milion euro plus mesfushorin Elano për mbrojtësin brazilian të Interit
Marko Branka ka shtyrë me disa orë vizitën e tij në Londër. “Për faj” të Çelsit në këtë moment nuk mund të bëjë asnjë lëvizje zyrtare për Maikonin, duke parë se negociatat për një trasferim të Bosinguas tek Bajerni i Mynihut janë akoma hapur. Vetëm pasi të ketë shitur mbrojtësin portugez të krahut Abramoviç do të jetë gati për të pritur drejtuesit zikaltër, ndoshta duke tentuar të përfshijë në marrëveshje edhe Dekon me Karvajon, pavarësisht se Morati dhe Branka preferojnë t’i mbajnë të ndara dy rrugët.
Qëllimi i londinezëve është të pakësojnë në maksimum shpenzimet e mundshme: 15-20 milion euro plus dy portugezët është oferta e parë që mund të bëhet nga Çelsi. Gjithsesi, një ofertë për Maikonin egziston tashmë. Dhe është zyrtare. Eshtë Mançester Siti që ka filluar të lëvizë: 22 milion euro plus Elanon. Duke llogaritur vlerën që ka mesfushori i Brazilit, arrihet një shifër e përafërt me 40 milion euro që Morati kërkon për mbrojtësin e tij të krahut.
Elano bën pjesë në listën e lojtarëve që pëlqehen nga Mourinjo, edhe pse disa pozicione mbas Shnejderit (që mund të jetë kundëroferta teknike e Realit të Madridit për Maikonin). Interi ka kërkuar kohë. Para se të fillojë kontaktet më klubin anglez është në pritje të ofertave të tjera që mund të vijnë, pikërisht nga Reali dhe Çelsi. Kjo kohë që ka kërkuar Interi për t’u menduar është e nevojshme edhe për t’i bërë qejfin Maikonit. Lojtari zikaltër është njofutar për interesimin e Mançester Sitit. Ata që e kanë informuar për këtë kanë qenë shokët e ekipit tek Brazili, Elano dhe Robinjo.
Të dy shumë të interesuar për këtë marrëveshje: Elano sepse mund të kurorëzojë ëndrrën e tij për të luajtur në Serinë A, nën urdhërat e Mourinjos, trajneri i tij i preferuar; Robinjo sepse do të kishte në skuadër një lojtar të ri të nivelit të lartë. Por duket se fjalët e “bukura” të kolegëve nuk kanë bërë efektin e shpresuar. Miakon nuk ka ndonjë dëshirë të madhe për të ndërprerë marrdhënien me Interin, dhe mbi të gjitha nuk do të largohej kurrë nga formacioni zikaltër për të kaluar tek një ekip për momentin inferior.