01 qershor 2009
Kosova, e katërta
Përfaqësuesja U-20 e Kosovës ka zënë vendin e katërtë në turneun e Montheyt, pas humbjes nga Flamengo (2:0), në ndeshjen e vlefshme për pozitën e tretë. Rafet Prekazi është i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij. Përfaqësuesja U-20 e Kosovës ka zënë vendin e katërt në Turneun Ndërkombëtar të Futbollit në Monthey (TIFM). Kosovarët u mposhtën të dielën nga Flamengo, me rezultat 2:0 në luftë për pozitën e tretë. Por kjo humbje nga ekipi brazilian ka mundur të jetë edhe më e thellë, pasi kosovarët nga minuta e 25-të e ndeshjes ka luajtur me nëntë futbollistë, sepse Sahiti e Jashari kanë qenë të përjashtuar me kartonë të kuq.Por, trajneri i Përfaqësueses U-20 të Kosovës, Rafet Prekazi është shprehur i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij në këtë turne.“Jam shumë i kënaqur me paraqitjet tona. Kemi lënë përshtypje të mira këtu me lojërat që i kemi aplikuar, me sjelljet tona e me të gjitha. Lojën më të mirë e kemi luajtur ndaj Hajdukut në gjysmëfinale, por humbëm në mungesë të fatit. Në bazë të asaj, loje ne e kemi merituar finalen”, deklaroi Prekazi për Express nga Zvicra. Kosovarët në këtë turne arriti deri në gjysmëfinale, ku të shtunën është mposhtur pas ekzekutimit të penaltive nga Hajduk Spliti, derisa koha e rregullt kishte përfunduar me rezultat, 1:1. Ndërsa, gjatë gjithë këtij takimi ka dominuar ekipi kosovar në fushën e blertë. Në gjysmëfinale, përfaqësuesja e Kosovës ka arritur pasi u radhit e dyta në grupin B, ku pas tri ndeshjeve në kuadër të këtij grupi, ka arritur kuotën e katër pikëve. Fillimisht, në ndeshjen e parë të zhvilluar të mërkurën në kuadër të grupit B, Kosova ka marrë një pikë në përballje me ekipin danez, Brondby, pasi ky takim ka përfunduar me rezultat 1:1. Në ndeshjen e dytë, kosovarët janë mposhtur nga Flamengo me rezultat 2:0, kurse në duelin e fundit të fazës së grupeve, ekipi i udhëhequr nga Rafet Prekazi mposhti Sionin e Zvicrës me rezultat 3:2. Marrë në tërësi, Kosova U20 ka zhvilluar pesë ndeshje në këtë turne, duke i pësuar tri humbje, një takim ka përfunduar me rezultat të barabartë dhe një herë ka shënuar fitore.