27 qershor 2009
Konte: Bari nuk i mbajti premtimet
Antonio Konte ka shpjeguar në një konferencë për shtyp arsyet e lamtumirës së tij nga drejtimi i Barit, që e ngjiti këtë sezon në Serinë A: “Nuk ekziston më fryma dhe bashkëpunimi për projektin teknik me klubin, për të cilin ramë dakord tri javë më parë, - tha ish-trajneri puljez. - Më vjen shumë keq, sepse tani jam pa skuadër, hoqa dorë nga një kontratë e mirë vjetore prej 850 mijë eurosh, plus 150 mijë si çmim për shpëtimin. Unë kështu jam, nëse vihen në dyshim idetë e mia, nuk jam dakord. I kisha kërkuar 10 lojtarë të rinj presidentit të klubit, jo lojtarë të jashtëzakonshëm, por për targetin tonë, futbollistë që vinin nga Seria B ose nga skuadrat e sapozbritura në A”. Mendimin e fundit, ish-mesfushori i Juventusit e ka për tifozët e Barit, që e kanë mbështetur gjithnjë: “I falënderoj të gjithë, - përfundon Konte - klubin, lojtarët, të cilëve u uroj shumë fat, por para së gjithash tifozët, që e meritojnë një projekt ambicioz. Më vjen shumë keq që u ndava në këtë mënyrë me Barin”.