27 qershor 2009
Hyka thërret Palermon
Mesfushori i Mainz 05, Jahmir Hyka është objektiv i klubeve të ndryshme evropiane për afatin kalimtar të verës, në mesin e tyre edhe Palermo. Ditë më parë menaxheri i tij, Sokol Haxhia kishte konfirmuar interesimin e klubit sicilian për reprezentuesin e Kombëtares shqiptare, ndërsa futbollisti ka mirëpritur transferimin eventual në Serie A. “Kam biseduar me menaxherin tim dhe më ka treguar se kërkohem nga Palermo. Për mua do të ishte ëndërr të luaja për Palermon. Miku im Samir Ujkani më ka folur mirë për qytetin dhe do të më pëlqente te jem bashkëlojtar i tij, e mbi të gjitha të luaj në Serie A. E di se presidenti Zamparini është një njeri i mirë”, deklaroi Hyka të enjten për uebfaqen mediterraneonline.it. Sa i përket mundësisë së transferimit te Palermo, Hyka është shprehur: “Menaxheri im më ka thënë se mund të arrijmë marrëveshje pasi Palermo ka biseduar edhe me klubin tim aktual dhe mund të themi se ekziston 50 për qind e mundësisë. Ëndrra ime është të luaj në Serie A”. I pyetur rreth karakteristikave të tij, mesfushori shqiptar ka bërë një krahasim me futbollistë të Palermos. “Jam i shpejtë, teknikisht i mirë, kam luajtur kundër Milanit dhe Kombëtares U-21 të Italisë, dhe jam përzierje mes Miccolit dhe Simplicios. Por, më pret ende punë e madhe për të bërë derisa të arrij në shkallën më të lartë”, shtoi ai. Palermo ka bërë ndryshime në stafin teknik për sezonin e ri në Serie A, duke angazhuar trajnerin Walter Zenga nga klubi rival i qytetit, Catania. Hyka ka lavdëruar legjendën italiane duke theksuar se do të ishte i lumtur të punonte me ish portierin e Kombëtares italiane. “Është trajner i mirë, ka udhëhequr Catanian dhe arriti të sigurojë mbijetesën që nuk është e lehtë, andaj është trajner i mirë dhe për mua do të ishte kënaqësi të punoja me të, por kam dëshirë të luaj me futbollistë si Cavani e mbi të gjitha Miccoli. Palermo është duke bërë punë të mirë për të arritur kualifikimin në garat evropiane dhe mund të jetë klub ideal për mua”, përfundoi Hyka.