27 qershor 2009

Juve, blerja e radhës është... David Trezege

Pas Diegos dhe Fabio Kanavaros, Juventusi zyrtarizon edhe blerjen e saj të tretë. Kur të gjithë prisnin emrin e fantazistit Gaetani D’Agostino, apo të ndonjë prej mbrojtësve, Fabio Groso apo Andrea Dosena, presidenti bardhezi, Xhovani Koboli Xhili, deklaron: “Blerja jonë e radhës është David Trezege. Sulmuesi francez ka kaluar përfundimisht problemet e tij me dëmtimin dhe është gati të fillojë të shënojë sërish me vazhdimësi për fanellën tonë”. Numri një i “Zonjës së Vjetër” konfirmon gjithashtu se, klubi nuk do të marrë më parasysh asnjë ofertë që vjen në drejtim të lojtarit. “Disa javë më parë e kishim pranuar se lojtari ishte në merkato. Por tani, pasi kemi sqaruar disa situata me të, theksoj se Trezege nuk do të largohet nga Torino, kundrejt çdo oferte që do të na vijë në selinë tonë. David është një kampion i padiskutueshëm, që ka shkruar historinë e këtij klubi me golat e tij. Për momentin ky është qëndrimi ynë kundrejt fjalëve të fundit të shprehura edhe nga vetë lojtari. Pastaj, në rast se ai ndryshon mendje dhe në favor të tij do të vijë ndonjë ofertë që ai e konsideron shumë herë më të rëndësishme se ajo që ka aktualisht me ne, atëherë lojtari do të jetë i lirë të largohet. Si drejtuesi më i lartë i klubit të Juventusit, unë zyrtarizoj se për ne, David Trezege është një sulmues shumë i rëndësishëm dhe i pashitshëm”. Objektivat e tjerë – Fati i sulmuesit francez gjithsesi, nuk është argumenti i vetëm që qarkullon këto ditë në shtëpinë bardhezi. “Hipoteza e mbërritjes së Fabio Grosos është padyshim më konkretja për momentin, - vazhdon Xhovani Koboli Xhili. – Gjithsesi, synimi ynë parësor është Gaetano D’Agostino, fantazisti i Udinezes, për të cilin jemi shumë optimistë se do të firmosë në ditët në vazhdim. Ndërkohë, Dosena është gjithashtu një kandidat i fortë, ndërkohë që laciali Kolarov është vetëm një alternativë e tyre, por duket shumë e vështirë të lëvizë nga Lacio. Një shkëmbim Kamoranezi-Groso? E përgënjeshtroj kategorikisht. Për Mauron u kemi thënë ‘jo’ shumë prej skuadrave evropiane të rëndësishme, ndaj për ne mesfushori është i pashitshëm. Nga ana tjetër saktësoj se në ditët e ardhshme do të kemi disa takime të rëndësishme për blerjet tona të ardhshme”. Largimet – Merkato e Juventusit nuk është e përqendruar vetën në blerje, por edhe në largimet e disa prej atyre lojtarëve që nuk kanë bindur, por edhe mbi huazimet e mundshme të të rinjve të shumtë, që aktualisht bëjnë pjesë në grupin e Juventusit. “Këto ditë kemi shitur Melbergun te Olimpiakos dhe gjysmën e kartonit të Krishitos Xhenoas. Tani po ndjekim me vëmendje edhe ofertat që kanë ardhur për Kristiano Poulsenin, por edhe për disa nga të rinjtë tanë të talentuar, si De Çelje, Paladino e Lanzafame, të cilët mund të largohen apo të huazohen në formë bashkëpronësie për sezonin e ardhshëm”, thekson presidenti i skuadrës së Juventusit.