27 qershor 2009
“Dua Juven, por edhe kuqezi do ishte bukur”
Dita vendimtare për të ardhmen e mesfushorit të Udinezes, Gaetano D’Agustino, po afron. Dhe kësaj radhe përveç Juventusit edhe Milani i është shtuar listës së klubeve pretendente për mesfushorin e formacionit friulan. Mediat italiane bëjnë të ditur se e ardhmja e futbollistit të Kombëtares italiane dhe të Udinezes do të vendoset sot në një takim ndërmjet drejtuesve, që zotërojnë kartonin e tij dhe atyre të Milanit dhe Juventusit. Ndërkaq, vetë D’Agostino është shprehur i nderuar mbi interesimin e Milanit, por sërish mbetet Juventusi zgjedhja e parë e lojtarit: “Nuk di asgjë mbi takimin e nesërm (sot). Unë po pres me qetësi. Kam dëgjuar edhe për interesimin e Milanit nëpërmjet gazetave dhe padyshim që më bëhet qejfi shumë për interesimin e klubit kuqezi. Padyshim që do më pëlqente të luaja për Milanin, por fillimisht do të pres takimin e drejtuesve të mi me Juventusin, pasi është kjo e fundit skuadra që më intereson më shumë se të gjitha të tjerat. Tani për tani mendoj vetëm për pushimet me familjen time”. Mbi eliminimin e Kombëtares italiane nga Kupa e Konfederatave, D’Agostino shton: “Isha shumë i lumtur që bëja pjesë në grupin e kampionëve të botës. Unë kam folur me Lipin përpara këtij kompeticioni dhe ai më ka thënë se ka besim tek unë. Për mua ka rëndësi shumë mendimi i trajnerit”, ka përfunduar mesfushori i klubit friulan.