Kompania angleze ‘Kentaro AG’ ka fituar të drejtën t’i transmetojë ndeshjet e përfaqësueses kosovare për katër vite, pas pranimit të Kosovës në FIFA e UEFA. Nga kjo marrëveshje Federata e Futbollit e Kosovës do të përfitojë 4 milionë e 600 mijë euro.
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur që të drejtat televizive për transmetime e ndeshjeve të përfaqësueses së Kosovës t’ia shesë kompanisë angleze me seli në Zvicër, ‘Kentaro AG’. Sipas një njoftimi të lëshuar nga FFK, thuhet se kjo kompani do të paguajë 4 milionë e 600 mijë euro për t’i transmetuar ndeshjet e Kosovës për katër vitet e para të pas pranimit të FFK-së në FIFA dhe UEFA. Ndër të tjera në komunikatën e FFK-së thuhet se ‘Kentaro AG’ tashmë ka derdhur 300 mijë euro në konton e FFK-së, si sigurim për kontratën. Përveç ‘Kentaro AG’, edhe tri kompani tjera kanë aplikuar për të marrë të drejtën televizive të transmetimit të ndeshjeve të Kosovës, por sipas FFK-së, oferta e asaj nga Anglia ka qenë më e mira. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu thotë se FFK-ja është e kënaqur me shumën të cilën do ta përfitojë nga ‘Kentaro AG’. “Kjo kompani do t’i transmetojë ndeshjet për një cikël të kualifikimeve për Kampionatin Evropian dhe atë Botëror, pra për katër vite. Ne jemi të kënaqur me ofertën të cilën tashmë e kemi pranuar. Por, mjetet mund t’i shfrytëzojmë vetëm pas pranimit tonë në FIFA e UEFA”, ka thënë Salihu për Express. Sipas Salihut, oferta e kompanisë ‘Kentaro AG’ është e barabartë me vendet e tjera të regjionit dhe më e mirë sesa në disa vende të shteteve fqinjë.