Kuqezinjtë po vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen kundër Portugalisë, derisa janë të motivuar si asnjëherë më parë. Sipas futbollistëve, trajneri i ri i Kombëtares, Jospi Kuze, ka sjellë atmosferë në skuadrën kuqezi, pas largimit të holandezit Arie Haan.
Kombëtarja shqiptare po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e së shtunës kundër përfaqësueses së Portugalisë, e cila do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2010. Futbollistët e ekipit kuqezi janë të motivuar si asnjëherë më parë për këtë sfidë, edhe pse përfaqësueses shqiptare i janë shuar shpresat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Botëror. Sipas futbollistëve, trajneri i ri i Kombëtares, kroati Jospi Kuze ka sjellë atmosferë në skuadrën kuqezi pas largimit të holandezit Arie Haan. “Kuzen e njoh, ai është trajner shume i mire dhe ne këto 2-3 ditë që unë kam këtu e shoh qe ka ndryshuar atmosfera në Kombëtare, futbollistët janë më të motivuar. Ai kërkon të formojë grupin në mënyre qe ai të arrijë të formojë skuadrën që do”, ka thënë Ervin Skela, i cili ndeshjen kundër Portugalisë e ka vlerësuar të vështirë. Në anën tjetër i rikthyeri në ekipin kuqezi Erion Bogdani ka përkrahur idenë e trajnerit Josip Kuze, që të aplikojë lojë sulmuese, respektivisht të luajë me dy sulmues. “Ndryshe nga trajnerët e tjerë, që kane thëne se do bëjmë lojë sulmuese, Kuze me sa duket do ta bëjë këtë gjë. Në analizat qe ka bërë gjithmonë, ka thënë se do të luajë me dy sulmues. Kjo është më mirë për ne, sepse me 2 sulmues jemi më afër portës dhe më afër golit”, ka thënë Bogdani i cili kishte rastin të punojë me Kuzen te skuadra kroate Zagreb gjatë sezonit 1999/2000. “Ndeshja kundër Portugalisë është e vështire, por lojtaret këtu janë shumë të motivuar. Portugalia na nënvlerësoi në ndeshjen e parë, ndërsa në këtë ndeshje ata vijnë mese të motivuar”, ka shtuar futbollisti i Chievos. Ekipi kuqezi të martën ka zhvilluar një ndeshje kontrolluese përballë përfaqësueses U-17 të Shqipërisë. Të përzgjedhurit e Kuzes këtë takim e fituan me rezultat të thellë 17:00. Shqipëria nuk lëviz nga vendi Kombëtarja shqiptare mbetet në pozitën e 92-të si në muajin e kaluar, në renditjen më të re të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA). Kuqezinjtë kanë 400 pikë, sa ka edhe Islanda, që gjendet një pozitë më poshtë. Ndërsa mbi Shqipërinë është Benini, i cili ka 402 pikë. Renditja e FIFA-s është publikuar para ndeshjeve kualifikuese të botërorit Afrika 2010. Shqipëria do të luajë të shtunën me Portugalinë, kurse me Gjeorgjinë do ta zhvillojë një ndeshje miqësore të mërkurën e ardhshme.