Trajneri i kombëtares italiane ka grumbulluar 8 lojtarë debutues për ndeshjen miqësore me Irlandën e Veriut
“Për ndonjë lojtar kjo thirrje në kombëtare mund të shikohet si një shpërblim, por nuk është e thënë të kthehet sërish apo të jetë pjesë e grupit, që do të udhëtojë drejt Afrikës së Jugut pas një viti”. Kështu e ka shpjeguar trajneri i kombëtares, kampione bote në fuqi, Marçelo Lipi, zgjedhjen e tij për të grumbulluar në përfaqësuesen e Italisë 8 lojtarë debutues me rastin e ndeshjes miqësore me Irlandën e Veriut.
Ka qenë më shumë një vlerësim për punën e mirë të bërë në kampionatin italian, që sapo është mbyllur nga Marketi, Kasani, Espozito, Santon, Biaxhianti, Galopa, Maskara dhe Pelisier, edhe pse “grupi për një Botëror krijohet duke pasur në dispozicion një organikë me shumë lojtarë dhe futbolli italian nuk është vetëm ai i klubeve të mëdha”. Aventura e të kaltërve në prag të Kupës së Konfederatave ka filluar dhe trajneri i kombëtares “axurre” Lipi e ka inauguruar grumbullimin në Koverçiano me një batutë, gjysmë serioze dhe gjysmë supersticioze.
“Në bazë të traditës skuadra që fiton këtë turne nuk fiton kampionatin botëror. Kështu që, nëse fitojmë mirë, nëse nuk fitojmë…”. Koncept ky i sqaruar më mirë në momentin e prezantimit të fanellës së kombëtares, që Italia do të veshë në Afrikën e Jugut. “Dhe shpresojmë të mos fitojmë”, ka përsëritur Lipi. Ndërkohë, tekniku duhet të bëjë llogaritë me zërat që kanë të bëjnë me Çiro Ferrarën, tekniku i Juventusit në dy javët e fundit të kampionatit italian dhe kandidati numër një për të drejtuar stolin e bardhezinjve edhe në sezonin e ardhshëm.
Trajneri i kombëtares është shprehur i gatshëm të lërë të lirë zëvendësin e tij, nëse do të vinte ndonjë lajm nga Torino. “Roli i tij si zëvendëstrajner i kombëtares deri tani ka qenë shumë i rëndësishëm, nuk mund të them veç se fjalë të mira për të, por nëse Juventusi do ta thërriste gjatë javës, pas ndeshjes që do të zhvillojmë në Piza, atëherë do të qëndrojë në Itali dhe nuk do të niset me ne për në Afrikën e Jugut”.
Gjtihsesi, përsa i përket zyrtarizimit të Çiro Ferrarës, duhen pritur edhe disa ditë, por të gjitha dyshimet, që kanë patur drejtuesit bardhezinj tashmë duken të fshira totalisht. Kështu, është pothuajse e sigurt se skuadra e Juventusit në sezonin 2009/2010 do të drejtohet nga Çiro Ferrara.
Pra, duket se kjo është alternativa e fundit që ka mbetur në këmbë, ose e thënë ndryshe, trajneri i verdhekuqve, Spaleti (i penalizuar nga pagesa e tij e lartë dhe nga numri i madh i bashkëpunëtorëve nga të cilët nuk ka pranuar të heqë dorë), është skartuar nga lista e trajnerëve të mundshëm të “Zonjës së Vjetër”, dhe klubi bardhezi ka vendosur t’i besojë mbrojtësit napoletan, i cili ka patur gjithmonë mbështetjen dhe respektin e gjithë lojtarëve të ekipit.