27 qershor 2009
Dzeko këmbëngul: Unë ëndërroj “Djallin”
Të shtunën sulmuesi boshnjak do të takohet me drejtuesit e Volfsburgut në grumbullim.Endrrat janë dëshira dhe dëshirat e një futbollisti zakonisht fitojnë kundër atyre të punëdhënësve të tyre. Tani, Edin Dzeko e ka bërë të qartë këtë, duke përsëritur se ai ka një ëndërr, Milanin, duke treguar shkurtimisht atë që Volfsburgu kërkon ta dëgjojë nga vetë lojtari. Gjë që sulmuesi boshnjak do ta bëjë në fundin e kësaj jave, pasi gjermanët vështirë se do t’i besojnë një televizioni italian. “Të gjithë e dinë se ëndrra ime e madhe është të luaj me Milanin, të gjithë e dinë”, ka thënë sulmuesi i zgjedhur për të zëvendësuar Kakànë.“Por në këtë moment gjithçka është në duart e Volfsburgut”. Kështu, telenovela vazhdon dhe nga Gjermania deklaratat janë shtuar, duke filluar me presidentin Hans Diter Potsh, i cili ka lajmëruar se kërkonte të fliste personalisht me Dzekon dhe jo me menaxherin e tij për të kuptuar nga ai se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Më pas drejtori i përgjithshëm, Jurgen Marak, është shprehur i sigurt se do ta bindë lojtarin të qëndrojë tek Volfsburgu. Në fund, të hënën e kaluar me rastin e grumbullimit të ekipit kampion të Gjermanisë, trajneri i ri Armin Veh e ka deklaruar të pashitshëm sulmuesin: “Dzeko nuk preket, nuk pranojmë asnjë ofertë”.Dhe Edin nuk ka ndërmend të krijojë një polemikë kur ndodhet 100 kilometra larg. “Në ditët në vazhdim do ta takoj. Besoj se të shtunën do të kem një takim me të dhe me drejtuesit e Volfsburgut, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Endrra ime është të luaj tek Milani, sepse është skuadra më e mirë në botë. Milani është diçka e pabesueshme për çdo lojtar”, ka thënë sulmuesi boshnjak. Kur e pyesin nëse mendon se do të jetë me Milanin, duke filluar që nga 6 korriku, dita e grumbullimit e kuqezinjve, Dzeko shprehet optimist: “Kam nevojë të flas me trajnerin e ri dhe me drejtuesit e Volfsburgut. Gjithsesi shpresoj të jem i pranishëm”. Të shtunën Edin do të jetë përballë Volfsburgut dhe Milani pret me padurim këtë takim që duhet të zhbllokojë situatën. Drejtuesit kuqezinj mendojnë të nisin negociatat me një ofertë prej 20 milionësh.