27 qershor 2009
Pato do shumë (euro) garanci nga Milani
Dje, sipas të përditshmes angleze “The Sun”, Çelsi i ka ofruar Milanit 30 milionë euro, plus sulmuesin Didier Drogba, për brazilianin Aleksandre Pato. Por siç konfirmon edhe administratori i Milanit, Adriano Galiani, oferta për Paton është refuzuar nga klubi kuqezi. Ndërkaq vetë futbollisti 19-vjeçar i kërkon më tepër garanci klubit kuqezi. Garancia e parë që kërkon talenti brazilian është paga e tij vjetore, e cila duhet të kapë shifrat e futbollistëve të mëdhenj në botë. Përderisa presidenti Silvio Berluskoni e ka cilësuar Paton si trashëgimtarin e Kakas, numri 7 kuqezi pretendon të paktën gjysmën e pagës që fantazisti përfitonte në Milano. Menaxheri i Aleksandres dhe drejtuesit kuqezi do takohen gjatë ditëve në vazhdim për të vulosur kontratën e re me shumë zero. Mirëpo ja çfarë thotë vetë Pato nga Brazili për të ardhmen e tij: “Unë jam një futbollist i Milanit dhe e ardhmja ime është tek kuqezinjtë. Kam plane të mëdha për sezonin e ardhshëm, sepse me Milanin dua të fitoj kampionatin dhe Ligën e Kampioneve”. Tani klubit kuqezi nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të marrë në konsideratë kërkesën e Patos, pasi nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë një talent si ai. Por ndërkohë Çelsi i Ançelotit vazhdon të vëzhgojë nga afër tratativat e rinovimit të kontratës, pasi Pato është shprehur i tunduar në fakt nga ideja për t’u veshur blu.