27 qershor 2009

Dorëzohet dhe Zlatan: Edhe një vit tek Interi

Shumë shpesh fjalët nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, mbi të gjitha nëse ndodhesh në periudhe merkatoje, por nëse ato vijnë të papritura dhe nga vetë lojtari për të cilin interesohen shumë nga klubet më të mëdha evropiane, sigurisht që marrin tjetër rëndësi. Zlatan Ibrahimoviç, i shumëkërkuar nga Reali i Madridit, Barcelona, Çelsi dhe Mançester Junajtid, më në fund është dorëzuar nga ideja për t’u larguar sezonin e ardhshëm nga Milano. Sulmuesi suedez 27-vjeçar u premton besnikëri zikaltërve dhe trajnerit Zhoze Murinjo, të paktën edhe për një vit tjetër. “Disa herë në javë komunikoj me menaxherin tim (Mino Raiola) nëpërmjet telefonit, për ta pyetur nëse gjithë ajo që shkruhet për mua është e vërtetë. Ai qesh dhe mohon, - thotë Zlatan Ibrahimoviç, në faqet e së përditshmes suedeze ‘Expressen’. - Ndonjëherë më ndodh të shikoj dhe të dëgjoj shumë gjëra, një ditë jam në Madrid, një ditë në Barcelonë ose në Londër, por sidoqoftë e vërteta e vetme për këtë temë është se e ardhmja ime do të vazhdojë të jetë Interi dhe Milano. Tani për tani jam dhe do të mbetem një lojtar i Interit. Se ç’mund të ndodhë në të ardhmen, unë nuk mund ta parashikoj. Në Milano kam një kontratë, nga e cila jam shumë i kënaqur dhe do mundohem ta respektoj. Kam ndjekur gjithashtu që skuadra ka lëvizur mirë në merkato dhe besoj se nga sezoni i ardhshëm do të jemi edhe më tepër konkurrues qoftë në Serinë A, qoftë në Ligën e Kampioneve. Sa dua ta fitojë Chasmpions-in? Sigurisht që është trofeu më i rëndësishëm për klube dhe do bëj të pamundurën për ta fituar atë sezonin që vjen me Interin. Megjithatë, Liga e Kampioneve nuk është aspak një fiksim për mua, aq sa të më kushtëzojë karrierën. Përkundrazi ajo më shërben si një stimul më shumë. Unë jam ende i ri dhe mendoj se do të kem edhe shumë mundësi të tjera për ta synuar atë titull”, - shprehet sulmuesi suedez i kampionëve të Italisë. E ndërsa ditët kalojnë dhe data e grumbullimit afrohet, i pyetur se për cilin nga shokët e tij e ka marrë malli më shumë, Ibra përgjigjet me buzagaz: “Për Mario Balotelin, sigurisht. Ai është i vetmi deri tani që kamundur të më kthejë përgjigje, apo edhe të më ofendojë në sytë e 70 mijë tifozëve të ‘San Siros’. Pavarësisht këtyre, mendoj se Mario është një nga talentet më të mëdhenj në botë. Ndodhesha në Suedi dhe kam ndjekur sfidën mes Suedisë dhe Italisë për Evropianin U-21. Mario shënoi një gol madhështor dhe po të mos ishte ndëshkuar me karton të kuq, jam i bindur se do të kishte shënuar edhe dy gola të tjerë. Është një sulmues që e njeh mjaft mirë portën, pavarësisht distancës nga godet. Mbase duke u stërvitur pranë meje, ka filluar të më vjedhë sekretet”, - përfundon me pak ironi deklaratën e tij, Zlatan Ibrahimoviç.