27 qershor 2009
Branka, në Londër për Dekon e Karvajon
Pas Diego Militos, Tiago Motës dhe Marko Arnautoviçit, tashmë duket se ka ardhur radha e Dekos dhe Rikardo Karvajos për t’u veshur me ngjyrat zikaltër. Mesditën e djeshme, drejtori sportiv i Interit, Marko Branka, ka udhëtuar drejt Londrës, më saktë ka vizituar selinë e Çelsit për të biseduar lidhur me temat e merkatos. Me urdhër të Murinjos, Branka do të kërkojë të sjellë në Milano dy portugezët, mesfushorin Deko dhe mbrojtësin Karvajo. Për këto dy blerje, blutë e Londrës kërkojnë 15 milionë euro dhe padyshim që Interi është gati të paguajë, ndonëse çmimi i këtyre marrëveshjeve mund të ulet, përderisa dhe dëshira e të dy lojtarëve është që të largohen nga “Stamford Bridge”. Gjithsesi, Deko dhe Karvajo nuk do të jetë e vetmja temë, për të cilën do të flitet në këtë takim, pasi Karlo Ançeloti është shumë i interesuar për Dagllas Maikonin, por sigurisht edhe për Zlatan Ibrahimoviçin. Megjithatë, mbrojtësi brazilian është objektivi kryesor, për të cilin presidenti zikaltër, Masimo Morati, nuk pranon më pak se 40 milionë euro. Por sot mund të mësohet diçka më tepër për këtë udhëtim.