JUVELIVE
▼
01 maj 2009
Sendet e forta në Peqin u rrezikuan seriozisht jetën gjyqtarëve italianë
Gurët dhe sendet e forta të hedhura në fushën e Peqinit, gjatë ndeshjes Shkumbini-Flamurtari, kanë rrezikuar seriozisht jetën e arbitrave italianë. Në minutat e fundit të takimit, kur rezultati ishte në barazim 1-1, në shkallët e stadiumit situata doli jashtë kontrollit, ku shënjestra u bënë "xhaketat e zeza" dhe lojtarët kundërshtarë. "Ishte krijuar një atmosferë e tensionuar. Sapo skuadrat hynë në fushë, tifozët filluan të shanin në italisht gjyqtarët", pohuan burime pranë FSHF-së. "Stafi teknik i Shkumbinit dhe lojtarët u sollën në mënyrë shembullore, madje ata tentuan dëshpërimisht të qetësonin mbështetësit, por më kot". Edhe në momentet më kritike, kryesori Gabriele Gava u dha një shans peqinasve, për të luajtur 90-minutëshin të plotë. "Kur njëri prej vijërojtësve u godit me gurë në shpinë, arbitri kryesor tentoi ta qetësonte. Duke i shkelur syrin ai i bëri me shenjë të ngrihej, për të vazhduar ndeshjen. Një sjellje prej xhentëlmeni, pavarësisht asaj që ndodhte. Por, në krahun e tribunës karshi, vijërojtësi tjetër pësoi shembje në dorë, pas goditjes me sende të forta, madje është gjallë për fat. Një gur me përmasa të mëdha i kaloi fare pranë kokës: nuk e dimë çdo kishte ndodhur po ta kishte goditur. Ndeshja u ndërpre kur me gurë u godit edhe një lojtar i Flamurtarit", vazhdoi rrëfimi rrëqethës. Pas takimit, arbitrave u telefonoi Kolina. Shefi i gjyqtarëve në Itali nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur: "Folën për afro 30 minuta në telefon dhe i raportuan gjithçka me detaje". Prej vitit 2002 deri më tani, në aktivitetet kombëtare kanë gjykuar 9 "bilbila" të huaj, pesë prej të cilëve janë italianë. Por, pas kjo që ndodhi mund të sjellë fundin e bashkëpunimit ndërmjet FSHF-së dhe homologes përtej Adriatikut. Një episod mjaft domethënës ka ndodhur në kryeqytet, kur treshja italiane po ndiqte në televizor gjysmëfinalen tjetër të Kupës, Tirana-Vllaznia. Të mahnitur nga lufta e bukur sportive dhe tifozeria e zjarrtë në "Qemal Stafa", me të drejtë ata ngritën pyetjen: "Po neve në çfarë fushe na kishit dërguar?!".