JUVELIVE
▼
01 maj 2009
Ndalohen dy tifozë, gjuajtën policët
Sikur të mos mjaftonin sharjet e gurët kundër futbollistëve kundërshtarë dhe arbitrave italianë të ndeshjes, tifozët e Peqinit duket se nuk kanë kursyer as forcat blu, të pranishëm në stadium për të siguruar mbarëvajtjen e gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Elbasanit, bëhet e ditur se është prerë fletarresti për dy tifozë 25-vjeçarë, pas ndërprerjes së ndeshjes Peqini-Flamurtari. Burimi në fjalë saktëson se ndaj Arjan Grecës, banor i fshatit Bardhas të Komunës Gjocaj në Peqin dhe Adriatik Cekës, është marrë masa e arrestit pasi kanë goditur me mjete rrethanore dy efektivë të policisë së Elbasanit, të cilët ishin në krye të detyrës, me iniciale D.V dhe Q.A. I njëjti burim ka saktësuar se Greca është arrestuar në flagrancë, ndërkohë që bashkëmoshatari i tij Ceka është shpallur në kërkim nga policia dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e tij. Për momentin ende nuk ka njoftim për ndalime të tifozëve që hodhën sende në fushën e lojës.