JUVELIVE

01 maj 2009

Benitez kërkon Canën te Liverpuli për të zëvendësuar Ksavi Alonson

"Lorik Cana do të ishte zëvendësuesi ideal i Ksavi Alonsos". Pikërisht ky mendim qarkullon në kokën e trajnerit të njohur të Liverpulit, Rafael Benitez. Mesfushori, një nga futbollistët më të njohur të Kombëtares së Shqipërisë, me performancën e tij ka bërë për vete disa nga skuadrat më të mëdha të Evropës, të cilat kanë bërë histori në futbollin ndërkombëtar, si Arsenali, Real Madridi, Roma, Bajern Mynih e Evertoni.

Interesimi - Por tashmë, sipas prestigjiozes angleze "Daily Mirror", kanë filluar edhe lëvizjet konkrete të Liverpulit për të realizuar marrjen e mesfushorit shqiptar të Marsejës në merkaton e këtij sezoni. Futbollisti i kombëtares shqiptare shikohet si zëvendësuesi i Ksabi Alonsos, ky i fundit mund të largohet gjatë verës në drejtim të Realit të Madridit apo Juventusit. Ishin faqet e gazetave më të shitura britanike ato që dhanë lajmin e bujshëm. Sipas "Mirror", trajneri aktual i 5-herë kampionëve të Evropës, Rafael Benitez, e ka vendosur Lorik Canën në majën e listës së objektivave të tij. Benitez është një tifoz i madh i futbollistit shqiptar, stili i lojës i të cilit është i njëjtë me atë të spanjollit Alonso.

"Hetimet" - "Spiunët" e dërguar nga Rafa kanë përpiluar një "dosje voluminoze", brenda të cilave ka mijëra detaje për mesfushorin luftarak e të zgjuar shqiptar. Trajneri Benitez ka kërkuar ndihmën e Bolo Zendenit, një ish-lojtari të Liverpulit, tashmë në radhët e Olimpikut të Marsejës, për të mbledhur informacione prej tij në lidhje me karakterin dhe personalitetin e Lorikut. Në fakt, Cana nuk është i panjohur për Rafa Benitezin, pasi Olimpiku i Marsejës është ndeshur katër herë me Liverpulin në fazën e grupeve të dy edicioneve të fundit të Champions League. Madje, për më tepër, shqiptari ishte dhe autori i një goli të bukur kundër Liverpulit në edicionin e 2008-2009, ndërkohë që në edicionin 2007 eklipsoi kapitenin e "Reds"-ave, Xherrard.

Kostoja - Liverpuli mendon të shpenzojë rreth 11.1 milionë euro (10 milionë paund) për të blerë kartonin e Lorik Canës. Që prej kalimit të tij nga PSG te Marseja, është rritur shumë si futbollist, duke u shndërruar në një nga mesfushorët më të mirë në Francë. Marseja është në prag të një suksesi sensacional në fitimin e titullit kampion dhe Cana ka qenë, sipas "Mirror" një nga faktorët kyç, pasi rezulton si një nga lojtarët decizivë. Sipas faqeve franceze, Cana vlerësohet si një titullar i padiskutueshëm me përfaqësuesen e Shqipërisë (36 ndeshje, 1 gol), por ajo që bie në sy tek ai është ana fizike dhe polivalenca e tij, për t‘u luajtur në disa pozicione në mesfushën shkatërruese dhe në mbrojtje. Përveç aftësive në fazën mbrojtëse, Cana konsiderohet si spektakolar edhe në fazën sulmuese: këtë e tregojnë edhe golat që ka shënuar.

Konkurrenca - 25-vjeçari, fillimin e karrierës së tij e ka pasur në Zvicër te FC Lausanne Sportive, ku edhe në moshën 16-vjeçare u zbulua nga Arsen Venger, i cili dëshironte ta merrte tek Arsenali, por pengesë u bë mosnxjerrja e vizës. Ky ishte sinjali i parë për një kalim të mundshëm të tij në Premier League. Benitez duket se kandidaturë prioritare ka Gareth Berry të Aston Vilës, por nëse shet për shifrën e 30 milionë eurove Ksavi Alonson, ai mund të blejë të dy mesfushorët.

Cilësitë e Canës

Mban rolin e mesfushorit shkatërrues, por mund të luajë shumë mirë edhe në qendër të mbrojtjes, nëse mbrojtësit janë të dëmtuar. Përveç aftësive në fazën mbrojtëse, Cana konsiderohet spektakolar edhe në fazën sulmuese"