JUVELIVE

23 maj 2009

Diego: Trajneri i ri nuk do të jetë problem

Aktori joprotagonist ka qenë më i kërkuari edhe në ditën e trishtueshme të Verderit në Turqi. Kudo Diego, edhe në formacionet e bëra nga ata që e kishin parë në fushë në stërvitjen e fundit, pa e ditur se braziliani ishte i skualifikuar. Të mërkurën nuk e ka hequr për asnjë moment uniformën e zezë, e përshtatshme për rrethanat, dhe ka qenë me të vërtet shumë i mërzitur për rastin e humbur në Kupën UEFA. “Ka qenë një zhgënjim shumë i madh, shokët e mi të ekipit kanë bërë gjithçka kanë mundur për të fituar, por Shakhtjori ka luajtur më mirë, ka qenë më i aftë në episodet vendimtare. Do të kisha dashur të isha në fushë edhe unë, tani shpresoj ta fshij këtë zhgënjim në finalen e Kupës së Gjermanisë. Një trofe duhet ta fitoj”, ka thënë braziliani.
E ARDHMJA - Në Berlin, kundër Bajer Leverkusenit, Diego do të përfundojë tre vitet e tij tek Verderi. I blerë nga klubi gjerman për 5,5 milion, do të largohet për 25. Drejtuesit e Verderit nuk mund të ankohen, edhe pse akoma nuk është vendosur se kush do t’i paguaj 15% babait të lojtarit, i cili zotëron një pjesë të kartonit. Diego nuk fsheh se “ndonjë problem ekziston akoma” dhe këtë e ka shpjeguar vetë ai. “Nuk është zyrtare, nuk mund të them akoma se jam një lojtar i Juventusit, por jam shumë afër. Ka akoma disa çështje për të sqaruar dhe shpresoj që gjithçka të mbarojë shpejt. Në këtë pikë nuk më takon më mua, por dy klubeve”.
STUDIMI I ITALISHTES - Në pritje të zyrtarizimit, njerëzit në shtëpinë e Juves kanë ndryshuar: “E di, është larguar Ranieri, nuk mund ta di se çfarë ka ndodhur, por nuk besoj se do të jetë një problem për mua. Ai që do të vijë do të jetë në dijeni të mënyrës time të lojës, kjo nuk është një arsye për t’u rimenduar. Juvja është një klub i madh, që ndiqet nga miliona tifozë. Një klub i këtij niveli duhet të mendojë gjithmonë për të fituar”. Do të jetë më i lehtë integrimi në një ambient të zhgënjyer nga një sezon jo shumë pozitiv? “Nuk e besoj, pritshmëritë e Juventusit janë gjithmonë të larta, kështu që do të ketë një presion të madh që në fillim. Edhe pse humb vetëm një ndeshje mund të ndodhë gjithçka”. Për t’u përgatitur më mirë, Diego po studion italishten: “Vetëm disa fjalë, por nuk është e vështirë”, ka thënë Diego. Më e lehtë se të kënaqësh tifozat bardhezi.