JUVELIVE

23 maj 2009

Milani i së ardhmes, Leonardo është favorit

Adriano Galiani e sqaroi dy ditë më parë: për të kuptuar se cili do të jetë trajneri i ardhshëm i Milanit do të mjaftojë të pritet deri të hënën. Megjithatë, në të vërtetë diçka shumë e rëndësishme ka ndodhur orët e fundit. Emri për pasardhësin e Ançelotit, është zgjedhur gjatë një dreke në Milanelo, në të cilën të enjten në mbrëmje kanë marrë pjesë krerë të lartë të klubit kuqezi. Pas Ançelotit pa dyshim, sepse trajneri aktual do të shkojë te Çelsi. Në vend të tij, jo vetëm një teknik është në garë, por një “triadë”: Leonardo-Tasoti-Filipo Gali, me brazilianin favorit.
Në fund ka fituar zgjidhja e brëndshme, e dëshiruar edhe nga administratori i deleguar kuqezi. Që në këtë pikë duket e dukshme, pasi nuk ka gënjyer, duke theksuar se nuk ka kontaktuar me trajnerë të tjerë. Por si lind kjo zgjedhje? Me shumë mundësi nga një marrëveshje mes Galianit (që synonte linjën e vazhdimësisë) dhe Berluskonit, i cili është i tërhequr pas pistës së Marko Van Bastenit, por që nuk e ka fshehur asnjëherë stimulin e tij të madh për Leonardon. Ky është i vetmi i kandidatëve në stolin e Milanit, që mes të tjerash i përgjigjet në mënyrë të përsosur identikitit të padronit kuqezi: pa përvojë, me prani konstante në klub dhe i ri.
Një bast, për ta thënë siç duket në të vërtetë, një nga ata njerëz që presidenti Berluskoni dëshiron ta stërfitojë. Të njëjtën gjë bëri edhe me Arrigo Sakin dhe Fabio Kapelon në të shkuarën. Pra, “Leo” është në epërsi për të qenë trajneri i “Djallit” në krahasim me të tjerët. Problemi, sepse një problem ekziston në të vërtetë, është që Leonardo nuk e ka akoma licensën e trajnerit. Pra, në stol me të duhet një teknik i mirëfilltë. Në rastin specifik, është një dyshe të besuarish: Mauro Tasoti, zëvendësi historik i Ançelotit, i cili e ka drejtuar shkëlqyeshëm edhe skuadrën e të rinjve dhe Filipo Gali. Dy ish-mbrojtësa, të aftë për t’i dhënë fantazi “organizatorit” Leonardo. Nuk mbetet veçse të hidhet e zeza mbi të bardhë dhe të fillojnë së bashku projektin e Milanit të së ardhmes. Duke filluar që të enjten në mbrëmje, ku i gjithë stafi teknik kuqezi do të darkojë në shoqëri të Adriano Galianit. “Triada” e re milaniste dhe “i vjetri”, por i mirë, Karlo Ançeloti. Prandaj, në pritje të zyrtarizimit pas tetë vjetësh për t’u kurorëzuar në stolin e Milanit, këtë herë bëhet fjalë vërtet për darkën e fundit.
Ndërkohë, në pritje për të bërë për vete “San Siron” dhe tifozët e Milanit, Leonardo ka bërë për vete Kakànë, sepse “mjafton të shohësh shembullin pozitiv të Guardiolës te Barcelona, - thotë Kakà, duke “sponsorizuar” Leonardon. - Asnjë s’besonte më tek ai dhe e çoi skuadrën në finale të Championsit”. Pra, mirë Leonardo e mirë edhe Tasoti: “Duke qenë me ne prej shumë vitesh dhe me urinë për të fituar, ka krijuar një farë përvoje. Ançeloti? Karleto, e mbyll Kakà, - është akoma trajneri më i mirë që mund të drejtojë Milanin. Asnjë s’mund ta drejtojë skuadrën tonë si ai. E ardhmja ime? Jam shumë i lidhur me Ançelotin, por kontrata ime deri në 2013-ën është me klubin, jo me trajnerin. Nuk dua të them më shumë, pastaj nëse del diçka më shumë në merkato, do të flasë Milani”.