JUVELIVE

04 shtator 2008

KRISTIANO RONALDO Premtohet një ofertë prej 135 milionë sterlinash

Kristiano Ronaldo është objektivi kryesor i Mançester Sitit dhe tentativa për ta blerë do të bëhet që në janar, me një ofertë shumë të vështirë për ta refuzuar. “Kam mësuar që gjatë merkatos së verës, Kristiano Ronaldo ishte shumë pranë transferimit te Reali i Madridit për një shifër prej 90 milionë sterlinash. Kjo shifër nuk u ofrua dhe tratativat nuk përfunduan me sukses. Ronaldo është një lojtar i shkëlqyer dhe për mendimin tim, oferta e bërë për të ka qenë e ulët. Jam gati të jap edhe 135 milionë sterlina për ta pasur në skuadër. Të shohim nëse vërtet do e mbajnë fjalën, duke pranuar ofertën”, tha kreu i ri i klubit, Al Fahim, duke treguar qartë potencialin financiar dhe gatishmërinë për të shpenzuar shifra marramendëse për blerjen e lojtarëve që dëshiron. Në fakt, ylli portugez kishte deklaruar se një nga arsyet që ishte gati të transferohej në Madrid ishte pikërisht paraja. E tani mund të gjendet një zgjidhje e mesme për të, pasi ai nuk do dëshiron të largohet aspak nga qyteti, por thjesht kërkon të ndryshojë fanellë e do të paguhet, mbase akoma më shumë seç i kishte premtuar dhe Reali.