11 shtator 2008

Finlanda 3 – 3 Klose

Një triller i vërtetë ka ndodhur sonte në Stadiumin Olimpik në Helsinki në ndeshjen ndërmjet Finlandës dhe Gjermanisë, e cila përfundoi me rezultat të barabartë, 3-3.Ishte kjo mbrëmja e heroit të gjermanëve Miroslav Klose, i cili arriti tri herë ta barazojë rezultatin pas avantazhit të trefishtë të nikoqirëve. Ishin vendasit ata që shënonin, ndërsa gjermanët e ndiqnin rezultatin. Klose arriti dy herë në pjesën e parë t’i neutralizojë golat e kundërshtarëve. Pas golit të parë në ndeshje nga Johansson (32’), Klose la që të zgjasë vetëm gjashtë minuta gëzimi i vendasve derisa barazoi (38’). Pastaj shënoi Väyrynen (43’), por sa vlejti kjo kur në ndeshje ishte Klose, i cili sërish barazoi në 2-2 pa përfunduar pjesa e parë. Në pjesën e dytë u panë dy gola, derisa kursi i ndeshjes ishte i ngjashëm. Nikoqirët shënuan sërish të parët me anë të Sjölund (53’), ndërsa sërish në skenë doli njeriu i ndeshjes, Miroslav Klose, i cila pas gjysmë ore loje e neutralizoi edhe këtë gol të finlandezëve duke bërë që ndeshja të përfundojë me rezultat të barabartë.