JUVELIVE

04 janar 2010

Largim i gabuar

David Beckham ka pranuar se ai dëshiron që kurrë të mos ishte larguar nga Manchester Unitedi derisa përgatitet të kthehet në Old Trafford me klubin e tij të ri, Milan për ndeshjen e fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve, në mars. Mesfushori anglez ka thënë se ia ka zili ish-bashkëlojtarit Ryan Giggs, i cili ka qëndruar në klub për gjithë karrierën e tij, ndërsa rruga e Beckhamit e dërgoi atë në Real Madrid e më pas në Los Angeles Galaxy, ndërsa tani është në përgatitje të fillojë aventurën e dytë në formë huazimi në Milan. Beckham kaloi dhjetë vjet në ekipin e parë të Manchester Unitedit 1993-2003.
“Do të kisha pasur dëshirë të qëndroja në Manchester United për gjithë karrierën time dhe të mos shkoj askund tjetër, por nuk ndodhi kështu”, tha Beckham për BBC Radio Five Live. Ai ka veçuar mesfushorin uellsian, Ryan Giggs si shembull të ikonës së klubit.
“Duhet të jeni person dhe futbollist i veçantë të qëndroni në një klub për aq shuam vite. Ryan ka kaluar shumë vite në Manchester United dhe do të jetë përgjithmonë pjesë e klubit, ai është djalosh i Manchester Unitedit dhe kjo përshkon gjakun e tij. Jam i nderuar që kam luajtur së bashku me të dhe që e njoh si person dhe futbollist. Ai e meriton gjithë suksesin që ka arritur deri më tani”, shtoi Beckham, i cili insiston se ende ka ndjenja të fuqishme për Djajtë e Kuq.
“Manchester United është aq i veçantë për mua dhe kurrë nuk jam kthyer atje si futbollist, është përvojë të cilën dua ta ruaj përgjithmonë. Do të jetë një natë emocionale. Do të kisha pasur dëshirë të qëndroja në Manchester United për gjithë karrierën time, por nuk ndodhi ashtu dhe shkova në Real Madrid dhe në tri vjet isha i suksesshëm dhe kam kaluar mirë. Por, do të kisha pasur dëshirë të kisha qëndruar në Manchester United”, u shpreh ai.
Duke kthyer vëmendjen te Kombëtarja e Anglisë, Beckham ka insistuar se është i vetëdijshëm se nuk e ka të garantuar një vend në ekip për Kampionatin botëror 2010.
“E di se duhet të luaj mirë në Milan. Jam i përgatitur për këtë. Të gjithë e dinë se jam i përgatitur dhe i gatshëm të punoj shumë për të qenë pjesë e Kombëtares. Gjithmonë kam qenë shumë pozitiv dhe gjithmonë kam thënë se dua të jem në dispozicion për Anglinë, edhe nëse nuk jam pjesë e ekipit. Jam i pasionuar të paraqitem për shtetin tim dhe gjithmonë dua të jem pjesë e ekipit të Anglisë”, përfundoi ai.