JUVELIVE

03 janar 2010

Lajme News - per futbollistet dhe futbollin Shqiptar..

Paçarada përgatit portierët e Kombëtares së Kosovës

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës bëjnë të ditur se të hënën ish-portieri i dëshmuar i gjeneratës së artë të Prishtinës, Shukri Paçarada, do të zhvillojë një seancë stërvitore me portierët e Kombëtares së Kosovës. Paçarada, është trajner në skuadrën e njohur gjermane, Bayer 04 nga Leverkuseni dhe punon me kategoritë e reja. Ai së bashku me Bahri Berishën dhe Ahmet Beselicën, të hënën, në orën 12.00, në stadiumin e KF 2 Korrikut në Prishtinë, do të zhvillojnë stërvitjet me portierët e Kombëtares së Kosovës. Kjo stërvitje do të zgjasë një ditë, por është e mirëseardhur për portierët e Kombëtares.

Xhaka: Synoj të zë vend në përbërjen e parë

Katër futbollistët shqiptarë, Xherdan Shaqiri, Beg Ferati, Taulant e Granit Xhaka me 6 janar i nisin përgatitjet për stinorin pranveror me skuadrën me më zë në Zvicër, Baselin. Granit Xhaka, futbollist që me kombëtaren e Zvicrës U-17, ishin kampion bote, e ndjen veten të lumtur që do të stërvitet me skuadrën e parë. “Ç’ është e vërteta ndihem tepër mirë dhe shumë i motivuar që nisi përgatitjet me skuadrën e seniorëve te Baselit, që ka synimet kupën dhe titullin e kampionit të Zvicrës”, tha Granit Xhaka. Karakteristikë është se Graniti së bashku me vëllain e tij, Taulantin do të stërviten me skuadrën e parë dhe luftojnë që të zënë vend në përbërjen bazë.

Mehmedi: Do ta zëmë vendin e dytë

Admir Mehmedi, sulmues, dhe Adrian Nikçi, mesfushor, të hënën nisin stërvitjet për edicionin e pranveror me skuadrën e tyre, kampionin në fuqi, Zurich. Synimet e këtyre dy futbollistëve janë që në stinorin pranveror të luftojnë të ngjiten sa më lart në tabelë. “Jam i bindur se me potencialin që kemi në pranverë do të zëmë vendin e dytë në Superligën e Zvicrës dhe njëherësh do të kualifikohemi edhe në garat e kupave evropiane”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Admir Mehmedi, futbollist i Zurich-ut.