04 janar 2010

Ibra nervoz, shkaku? I ftohti…

Kohët e fundit, sulmuesi suedez ka qenë tepër nervoz, gjë për të cilën ka filluar të shqetësohet edhe trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola.E në fakt, ka të drejtë, pasi në pesë takimet e fundit, Ibra është ndëshkuar katër herë me karton të verdhë, duke u bërë futbollisti i parë katalanas që skualifikohet për shkak të kartonave që nga fillimi i sezonit. Nga pikëpamja sportive, nuk ka arsye për kaq shumë nervozizëm, skuadra po ecën për mrekulli, po ashtu edhe ai vetë dhe vetëm barazimi i fundit me Vijarealin nuk mund të jetë kaq shkatërrues. Po atëherë, cila është arsyeja?
Ndoshta duke marrë parasysh karakterin “e nxehtë” gjysmë ballkanas të sulmuesit, pas një fillimi të qetë, mbrojtësit spanjollë duket se tani ia kanë marrë dorën dhe dinë si ta provokojnë. Por e përditshmja suedeze “Aftonbladet” ka një tjetër shpjegim. Sipas saj, arsyeja e prishjes së humorit të ish-interistit, është një incident i vogël që atij i ndodhi gjatë pushimeve të Krishtlindjeve.
Pas rikthimit në Barcelonë, gjatë stërvitjeve, ai mban një mbulesë para fytyrës, për shkak të disa djegieve të shkaktuara gjatë një xhiroje me slitë në temperaturë minus 20 gradë celcius. Shkak i tyre ishte mbrojtësja e dobët që 28-vjeçari përdori gjatë xhiros, gjë që e ka detyruar që gjatë këtyre ditëve të marrë një trajtim mjekësor të veçantë.