Vllaznisë tani i duhet të luftojë për t’iu larguar vendit të fundit, një turp për këtë ekip
Në Shkodër ka rënë “zia”. Vllaznia humbi edhe shansin e fundit të saj për të qenë pretendente këtë sezon. Ndaj Tiranës ndodhi ajo që nuk e priste askush në kampin kuqeblu, humbja. Kjo humbje i rëndon edhe më shumë tashmë pozitat e saj dhe, për rrjedhojë, mbase në javët në vazhdim objektivi kryesor i kësaj skuadre do të jetë lufta për t’iu larguar fundit të renditjes.
Në ndeshjen e së premtes ndaj bardhebluve, Vllaznia përgjithësisht e ka dominuar lojën, ka krijuar më tepër volum loje dhe raste njëkohësisht, por ndërkohë i është rikthyer sëmundjes së vjetër tashmë: mosshënimit të golit. Miqtë, nga ana e tyre, kanë shkuar dy herë në zonën e vendësve dhe kanë shënuar një gol me vlerën e tri pikëve. Kaq u ka mjaftuar atyre për të thënë se dolën nga kriza, ndërkohë që kuqeblutë janë zhytur tashmë keq e më keq. Në të vërtetë, duket e pakuptimtë pse po ndodh kështu, kur të paktën në letër kemi të bëjmë me një Vllazni të fortë.
Por nga java në javë po shohim se po dalin në sipërfaqe “skarcot” e merkatos së saj. Rizvanolli, pasi nuk ka luajtur asnjë ndeshje si titullar në 8 takimet e para, pezullohet. Ardit Beqiri nuk është ai që pritej dhe si rrjedhojë ndaj Tiranës nuk ishte as në stol. Përveç tyre, dështim mund të quhet edhe blerja e malazezit Rajoviç, i cili të premten edhe ai nuk ishte as në stol. Duke vazhduar me Leandron, që vetëm brazilian nuk mund të quhet dhe që ndaj Tiranës ia mbushi mendjen edhe stafit drejtues se nuk bën për të veshur fanellën e Vllaznisë.
Lista mund të jetë edhe më e gjatë, por kaq mbase mjafton për momentin. Të blesh 12‑13 futbollistë me shuma të mëdha financiare dhe të përfundosh në ndeshjen me Tiranën duke pasur në stol edhe futbollistë të rinj të talentuar, siç ishte rasti i 17-vjeçarit Hotaj, 18-vjeçarit Nika apo 19-vjeçarit Sykja, sigurisht që konsiderohet një dështim jo i vogël në merkaton e shkodranëve. Mbase po të ishte ndërtuar që në fillim skuadra me këta elementë, sot gjërat mund të ishin më ndryshe.
Megjithatë, ajo që ka rëndësi është se trajneri Luçi pas ndeshjes së humbur me Tiranën, ka shprehur besim te skuadra që ai drejton. Ai madje e ka konsideruar garanci për të ardhmen lojën e mirë që Vllaznia ka zhvilluar në këtë takim. Krejt ndryshe mendojnë tifozët kuqeblu. Ata janë të zhgënjyer nga paraqitja e të besuarve të tyre dhe madje i kanë kontestuar ashpër në fund të ndeshjes.
Vendi i fundit në tabelën e renditjes është një akuzë e rëndë për të gjithë. Në tribunën e “Loro Boriçit”, mbrëmjen e së premtes ka qenë e varur një parullë ku shkruhej: “Zgjohuni!”. Kuqeblutë në të vërtetë jo vetëm që nuk janë zgjuar nga gjumi, por duket se janë përfshirë nga një “gjumë letargjik” shumë i rëndë, tamam i përshtatshëm për stinën e dimrit që po afron.