Fitorja e arritur të premten në Shkodër rikthen kampionët në garën për titullin
Dy fitore njëra pas tjetrës, me Teutën në kryeqytet dhe së fundmi me Vllazninë në Shkodër, duket se po rikthejnë Tiranën në radhë me pretendentët e tjerë në luftën për titullin kampion. Bardheblutë e drejtuar nga trajneri Alban Tafaj, në këto dy javë kanë arritur që të marrin gjashtë pikë të plota, por kanë treguar edhe një nivel loje gjithnjë në rritje.
Pa dyshim që meritë të madhe ka edhe stafi teknik, me në krye trajnerin Tafaj.Tashmë kampionati është rihapur dhe bardheblutë po kërkojnë që të përfitojnë sa më shumë edhe nga hapat false të rivalëve të tyre.
Ashtu si fundjava e kaluar, edhe kjo javë që është mbyllur dje, deri diku ka folur për Tiranën, nisur edhe nga humbja në Krujë e Besës dhe barazimi në shtëpi i Apolonisë. Djemtë e Tafajt, aktualisht e shohin veten vetëm nëntë pikë larg Dinamos që kryeson renditjen dhe tashmë çdo gjë është e hapur.
Pas fitores së arritur në Shkodër, njëfarë optimizmi duket se ka mbërthyer edhe lojtarët e kryeqytetasve, të cilët tashmë kanë hedhur këndvështrimin e tyre nga vendi i parë. Lideri i kampionëve, Devi Muka, edhe në Shkodër tregoi se mbetet një pikë kyçe e skuadrës, madje duket se po rikthehet në formën e tij më të mirë.
Fitorja me Vllazninë, sipas “labit” të bardhebluve, ka konfirmuar edhe një herë forcën e vërtetë dhe mentalitetin e 24 herë kampionëve. Gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar”, Devi Muka i bëri një analizë të shkurtër ecurisë së skuadrës në këto dy javët e fundit.
“E kishim vlerësur si duhet ndeshjen me Vllazninë, edhe pse e dinim që nuk do ta kishim aspak të lehtë për vetë faktin se edhe kundërshtari ynë ndodhej nën presionin e drejtuesve për mungesë të rezultateve. Më vjen mirë që zhvilluam një lojë të bukur në “Loro Boriçi”. Arritëm që të shënonim të parët dhe ditëm ta ruajtëm avantazhin deri në fund të takimit. Kjo në Shkodër është fitorja e dytë radhazi, pas asaj me Teutën, dhe gjashtë pikë në dy javë me skuadra të nivelit dhe me traditë nuk janë pak për ne.
Si një nga lojtarët me eksperiencë në radhët e Tiranës, po më bind mentaliteti i fituesit dhe loja gjithnjë në rritje e ekipit. Tashmë do t’u bëja një pyetje rivalëve, atyre që nuk kanë besur dhe që e kanë nxjerrë jashtë luftës për titull skuadrën tonë para kohe nisur nga rezultatet jo të mira në fillim të kampionatit: Po tani a është pretendente Tirana?
Ne e kishim deklaruar edhe gjatë javëve të para se vetëm mungesat na kanë prishur punë. Ka pasur takime që kemi luajtur edhe pa 6 lojtarë titullarë, por tani mendoj se Tirana është rikthyer dhe, duke përfituar nga hapat false të rivalëve tanë në këto dy javë, gara është bërë akoma më interesante. Ne nuk kemi për ta ndalur vrullin as ne javët e ardhshme,”- pohoi kapiteni Devi Muka. Kjo javë do të jetë paksa e ngjeshur për bardheblutë.
Të mërkurën ata do të ndeshen me Luzin në ndeshjen e kthimit të Kupës, ndërsa në fundjavë në kryeqytet do të jetë mysafir Shkumbini. Muka pohon se të dyja sfidat duhen vlerësuar pavarësisht nivelit të kundërshtarëve. “Kualifikimi për në turin tjetër të Kupës, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë, do të jetë thjesht formalitet për ne. Mendoj se takimi i mesjavës do të jetë edhe një test i mirë përpara sfidës së radhës në kampionat me Shkumbinin.
Boll kemi bërë gabime gjatë javëve të para të kampionatit, ndaj me Shkumbinin për ne nuk ka alternativë tjetër veç fitores,”- përfundoi kapiteni i bardhebluve, Devi Muka. Ndërkohë, për sa u përket dy lojtarëve titullarë, Abilaliaj dhe Osmani, të cilët nuk luajtën në Shkodër për shkak të plotësimit të numrit tre të kartonëve të verdhë, ata e kanë shlyer dënimin dhe do të jenë gati si në Kupë ashtu dhe për kampionat.