Trajneri verdhekuq i është kundërpërgjigjur presidentit të ri të Juventusit
Trajneri i Romës, Klaudio Ranieri, ka vazhduar polemikën në distancë me presidentin e ri të Juventusit, Blank, që ka filluar pas deklaratave të teknikut verdhekuq në lidhje me kalimin e munguar të Stankoviçit në Torino. “Të qëndrojë i qetë, sepse do të kisha shumë për të thënë. Nuk kam folur as vitin e kaluar”. Në lidhje me krizën, që po kalon Roma: “Jam i qetë, skuadra është e bashkuar. Na mungojnë rezultatet dhe gjithçka zmadhohet nga mediat. Dhe në vend që të protestonin kundër ekipit, tifozët duhet të na qëndrojnë afër dhe të na ndihmojnë të kalojmë këtë moment të vështirë. Duam të dalim nga kjo situatë, dhe për ta bërë këtë kemi nevojë edhe për mbështetjen e tyre, - ka thënë Ranieri, në prag të ndeshjes me Bolonjën. - Skuadra lufton. Pësojmë shumë gola dhe shënojmë shumë pak, por vetëm me punë zgjidhen problemet. Eshtë një moment delikat dhe njerëzit duhet të na qëndrojnë afër. Unë kam ardhur këtu me dëshirën për të bërë mirë, nuk jam nga ata që demoralizohen në vështirësinë e parë që kanë. E dija se do të kishte qenë e vështirë, por ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar. Të gjithë e dinë se unë e kam marrë drejtimin e skuadrës pasi kampionati kishte filluar dhe kështu që ekipin nuk e kam ndërtuar unë. Por nga momenti që kam marrë drejtimin, jam bërë pikë referimi. Skuadra më përket mua”. Tekniku i Romës ka dhënë edhe informacione në lidhje me formacionin. Vuçiniç do të jetë titullar: “Nëse do të kisha katër sulmues si vitin e kaluar do ta kisha lënë pushim për ta rekuperuar. Por, përderisa kjo nuk është e mundur, kundër Bolonjës do të jetë në fushë”. Eshtë konfirmuar dhe Doni në portë, pavarësisht gabimeve të bëra nga portieri brazilian, pas rikthimit nga dëmtimi: “Edhe Bufon, kur është rikthyer pas gjashtë muajve, ka patur disa vështirësi”, ka thënë Ranieri.