JUVELIVE

25 nëntor 2009

Porto-Çelsi, vendoset kreu i grupit

Dy ekipet e kualifikuara do të përcaktojnë vendin e parë në përballjen direkte
Çelsi do të siguronte vendin e parë në Grupin D nëse arrin të fitojë sonte për herë të parë në stadiumin e Portos. Të dy klubet janë kualifikuar që prej raundit të mëparshëm. Çelsi ka 10 pikë nga katër ndeshje, një pikë më shumë se Porto, por klubi londinez ka një humbje dhe një barazim nga ndeshjet e mëparshme në Porto. Vendi i parë në grup siguron një short më të mirë raundin tjetër.
Çelsi është pesë pikë para Mançester Junajtid në krye të Premier Ligës dhe vjen pas fitores 4-0 kundër Volvesit të shtunën. Blutë kanë shënuar të paktën katër gola në pesë nga shtatë ndeshjet e tyre të fundit. Frenk Lampard dhe Hose Bosingua nuk luajnë, por Gael Kakuta, i cili ka lënë mbresa si zëvendësues, është në formacion. Kakuta mund të luajë pasi Gjyqi i Arbitrimit Sportiv e lejoi të luante deri në marrjen e vendimit final për të. Didië Drogba, Mikael Balak dhe Deko kanë udhëtuar me skuadrën drejt Portos.
Rikardo Karvajo pritet të luajë kundër ish-klubit të tij pasi ka pushuar në fundjavë. Çelsi e mundi Porton 1-0 në “Stamford Bridge” në raundin e parë, por “Dragojtë” më pas morën tri fitore. Portugezët kanë kaluar fazën e grupeve për të katërtën herë radhazi. Organizatori argjentinas, Fernando Beluski, që nuk ka luajtur prej një muaji, pritet të kthehet në mesfushë në krah të Fernandos dhe Raul Meireles. Uruguajani Kristian Rodriguez ka qenë i dëmtuar, por mund të luajë në krah të majtë, ndërsa braziliani Hulk në të djathtën. Në qendër mund të luajë Radamel Falkao. Hulk dhe Falkao kanë shënuar katër nga pesë golat e Portos në këtë turne.