JUVELIVE

02 nëntor 2009

Lampard: Çelsi mund t’i fitojë të gjitha

Mesfushori i Çelsit: Kemi shumë presion, por kjo na ndihmon për të qëndruar në majë
Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, ka pohuar se presioni për të arritur sukses me Çelsin po e shtyn atë të kapë majat e karrierës jo vetëm me klubin e tij, por edhe me përfaqësuesen e Anglisë. Lampard e gjeti rrugën e rrjetës sërish të shtunën kundër Boltonit në fitoren 4-0, teksa Blutë e Ançelotit janë në një moment shumë pozitiv, që u konfirmua edhe nga fitorja 5-0 kundër Blekbërn Roversit, javën që shkoi.
Ata e presin ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Atletikos së Madridit me pikë të plota në grupin e tyre. Një formë e tillë e skuadrës bën që pritjet të jenë të mëdha nga ana e tifozëve, por Lampard e pëlqen këtë situatë. “Eshtë një sezon shumë i rëndësishëm për shumë lojtarë si në klubet e tyre edhe në përfaqësuese, por unë e pëlqej presionin që ai mbart”, ka thënë Lampard për “The Sunday Mirror”. “Nëse e largon presionin, nuk do të isha në këtë nivel që jam.
Eshtë si në çdo profesion. Nëse do sukses, të duhet presioni që ta arrish. Për momentin të gjithë jemi optimistë. Çelsi po ecën mirë në kompeticionet e veta, edhe Anglia gjithashtu. E rëndësishme është që të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos na marrë me vete suksesi fillestar. Mbi të gjitha, nuk kemi fituar ende asgjë dhe të gjithë luftojnë për trofeun në fund të sezonit. Nga ana tjetër jam i bindur se mund të fitojmë gjithçka.”
Çelsi e mbylli në vend të tretë vjet kampionatin dhe një Kupë Lige ishte ajo që i dha një ngushëllim in extremis për eliminimin nga Liga e Kampionëve në gjysmëfinale. Lampard shpreson që të shkojë më mirë këtë sezon. “E mbaj mend se kur erdhi vera, ndihesha keq që Çelsi nuk arriti të fitonte Premier Ligën ose të shkonte në finale të Championsit. Unë nuk u lodha të gjeja justifikime, por jam shumë i vendosur që këtë sezon t’i vë gjërat në vend. Me kalimin e kohës, njeriu bëhet më i mençur për të evituar dështimet. Mendoj se i kupton më mirë gjërat. Dikur më duhej shumë kohë që ta kaloja atë situatë, por më pas e kupton se këto gjëra ndodhin në futboll dhe nuk e lodh më veten me atë që ka kaluar”, ka shtuar Lampard.