27 nëntor 2009

Barcelona-Real Madrid, gjithçka sillet rreth “El Clasicos”

Kampionët e Spanjës dhe Europës do të presin të dielën në “Kamp Nou” kryesuesit e kampionatit spanjoll në betejën “epike” të Primera Divizioni
Të dielën, do të zhvillohet edhe një herë, beteja e përjetshme, se cili do të quhet klubi më i madh i botës. Real Madridi udhëton për në “Kamp Nou” me besim se një fitore mbi rivalët e stërmëdhenj të Barcelonës do t’i siguronte një udhëheqje të rehatshme në renditje. Blaugranët janë ende më të motivuar, pas fitores mjeshtërore ndaj Interit dhe kërkojnë që të rimarrin kreun. Vetëm kaq? Jo, rivaliteti shtrihet shumë më larg dhe thellë…
Për të gjithë Spanjën, Barça‑Real është shumë më tepër se sa një ndeshje futbolli; ajo nga shumë mendohet si një ndeshje e një kombi kundër një shteti: kastilianët kundër katalanasve. Ish‑trajneri i ndjerë i Barçës, Bobi Robson, dikur shprehej: “Katalonja është një komb dhe Barça ushtria e tij”. Në kujtesën kolektive sidomos të katalanasve, ndeshja konceptohet ende si “luftëtarët e lirisë kundër fashistëve të Frankos”. Reali konceptohet nga shumë si përfaqësuesi i shtetit të centralizuar spanjoll, ndërsa Barça si e Katalonjës, çka sjell ndërlikime sociologjike dhe politike për këtë vend.
Rivaliteti, në kuptimin politik, njohu kulmime gjatë regjimit diktatorial të Fransisko Frankos. Atëherë po për motive politike gjuhët dhe identitetet rajonale, që të dyja, thellë nga një jetë në shpirtin dhe zemrën e katalanasve, u ndaluan së foluri dhe së manifestuari publikisht. Rivaliteti, në kuptimin sportiv, u ashpërsua gjatë viteve 1950‑të, duke pasuar transferimin polemik të sulmuesit argjentinas, Alfredo di Stefano tek Real Madridi. Që të dy klubet, Reali dhe Barça mendonin se e kishin bërë të tyrin, pas një konfuzioni, që u shkaktua nga një grevë futbollistësh në atdheun e Di Stefanos, Argjentinë.
Barça pas disa orvatjesh u tërhoq nga një e drejtë, sipas tyre, pas një ndërhyrjeje të Federatës Spanjolle të Futbollit; në atë kohë qarkulluan zëra se klubi katalanas u detyrua nga vetë Franko që të hiqte dorë nga Di Stefano. Reali, me talismanin Di Stefano në krye ndërpreu një periudhë mbizotërimi të Barçës, duke fituar 8 nga 11 titujt e mëparshëm të La Ligas, sikurse edhe pesë tituj të Kupës së Kampionëve të Evropës së atëhershme nga nëntë të tyre. Me pak fjalë një erë që përcaktoi edhe klubin e ditëve tona.
Në harkun kohor, 1986‑1990, duke pasur në gjirin e tij futbollistë të një brezi të njohur si “Quinta del Buitre” (Skuadra e Skifterit), të udhëhequr nga golashënuesi vdekjeprurës, Emilio Butragenjo, Reali përsëri hodhi errësirë ndaj rivalëve të stërmëdhenj, duke fituar pesë tituj të njëpasnjëshëm të La Ligas. Johan Krujfi do të bëhej njeriu që do ta shndrronte Barcelonën dhe fatet e saj, jo aq shumë në fushë, si futbollist, paçka se udhëhoqi Barçën në titullin e parë të La Ligas, në 14 vjet, pas transferimit të tij nga Ajaksi më 1973, por më shumë si trajner i saj, kur ndërtoi “Skuadrën e Endrrave”, që fitoi katër tituj të La Ligas rrjesht si dhe Kupën e Parë të Kampionëve të Evropës, më 1992. Titulli i fundit nga katalanasit u fitua më 1994, viti kur edhe kolona e asaj skuadre, danezi Mikael Laudrup, pati fërkime me trajnerin holandez dhe për më tepër, “tradhëtoi” Barçën, duke kaluar papritur në Madrid tek Reali.
Ky transferim shokoi një komb të tërë, ndërkohë që Reali, menjëherë fitoi La Ligan. Një sezon më parë, ata kishin humbur në Madrid, “El Clasico”‑n, 5‑0, ndërsa atë sezon, të frymëzuar nga Laudrupi, u ngjitën lart me një fitore po 5‑0, duke shlyer turpin dhe paguar Barçën me të njëjtën monedhë, më 1995. Reali ishte klubi më i suksesshëm në shekullin XX‑të, ndërsa ai XXI është tejet i ndryshëm.
Krujfi, jo vetëm hyri në zemrat e tifozëve besnikë të Barçës, që njihen si “Cules”, duke snobuar Realin në të mirë të Katalonjës, duke deklaruar se kurrë nuk do të luante për një klub që kishte lidhje me diktatorin Franko, por si vizionar që ishte në fushë dhe jashtë saj, hodhi bazat e filozofisë futbollistike të njohur si “Cruyffismo”, çka i solli Barcelonës mantelin e klubit më të madh të botës dhe futbollit më të pëlqyeshëm në botë. Identiteti dhe stabiliteti bazik i Barçës, si institucioni më madhor i futbollit janë komponentë, të cilët prej shumë dhjetëvjeçarëve i mungojnë dëshpërimisht Realit, pikërisht ato që ai ia ka kaq shumë zili Barçës.
Klubi i Madridit, çuditërisht largoi trajnerin e fundit, që i solli një titull, të fundit në kohë të Ligës së Kampionëve. Trajnerët pasardhës, edhe nëse fituan ndonjë titull të La Ligas asnjëherë nuk shkuan larg në Ligën e Kampionëve, duke mos arritur të ndryshojnë lojën e Realit, që ishte aspak pranë asaj të Barças. Manuel Pelegrini, i emëruar si trajner i tyre këtë verë, njëherësh u bë trajneri i dhjetë në gjashtë vite. Kjo flet shumë për Realin. Në të njëjtin hark kohor, Barça pati vetëm një ndryshim trajneri, largimin e Frank Rajkardit, që edhe ashtu vazhdoi filozofinë e bashkshtetasit të tij të madh Johan Krujfit në lojën e Barcelonës.
Për më tepër, shtatë nga nëntë fituesit e “Topit të Artë” paçka se në radhët e Real Madridit e kanë marrë këtë çmim jo për arritje me të famshmen “Camisseta Blanca”. Kjo të sugjeron se klubi di se cilin të tërheqë, por jo se si t’i bëjë ata të luajnë si skuadër harmonike në fushë. Kapërcyelli i shekullit solli në krye të Realit si president, Florentino Perezin. Veprimi i tij i parë ishte joshja e një kanakari të Barcelonës, Luis Figo tek Reali, pas një marrëveshjeje që thënë pak tërboi furishëm “Les Cules”, shumë më tepër se një veprim i ngjashmëm i tillë tradhëtie i Mikael Laudrupit më 1994. Me rikthimin e Figos, në “Camp Nou”, me fanellën e bardhë të Realit, tifozët hodhën në fushë gjithçka, fare pranë ish‑kanakarit të tyre. Objektet përfshinin zinxhirë biçikletash, shishe qelqi, telefona celularë, madje edhe një kokë derri me simbolikën e saj.

Dani Alvesh, “tifo” për Ronaldon!

Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alvesh, shpreson që Kristiano Ronaldo të jetë në gjendje të luajë për Realin e Madridit në ndeshjen e së dielës në “Kamp Nou”. Portugezi është rikthyer në Champions ndaj Zyrihut pas një mungese dymujore dhe ka kërkuar të jetë titullar në “El Klasiko”. Mbrojtësi kundërshtar bën tifo që diçka e tillë të ndodhë. “E dua ta kem përballë në “Kamp Nou”, sepse është ndeshja më e madhe ku duhet të luajnë futbollistët më të mirë, - tha braziliani i Barçës. - Dua që Reali të ketë lojtarët më të mirë në “El Klasiko”, përfshi Ronaldon, sepse kështu fitorja do të na shijojë më shumë. Eshtë shumë shpejt që kjo ndeshje të jetë vendimtare, por është e sigurt se është më e rëndësishmja deri në këtë pikë të sezonit.

Gonzalo Higuanin, njeriu i momentit

Gonzalo Higuain e ka ndihmuar Realin e Madridit të bëjë një hap të madh drejt kualifikimit në 1/8-t e finaleve të Ligës së Kampioneve, duke shënuar golin e fitores 1-0 ndaj Zyrihut. 21-vjeçari nga Argjentina i ka dhënë tri pikët ekipit “merenges”, ashtu si bëri edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Santanderit. Dy fitoret në “Bernabeu” i japin mundësinë ekipit të Pelegrinit të kryesojë kampionatin spanjoll, përpara ndeshjes direkte me Barcelonën, dhe të jetë në krye të Grupit C në Champions, përpara takimit të fundit ndaj Marsejës. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por na ndihmoi të qetësohemi dhe të luajmë më mirë, - tha futbollisti i njohur ndryshe si “El Pipita”, pas ndeshjes ndaj Zyrihut. - Personalisht jam krenar që shënova, një sulmues është gjithmonë i lumtur kur ka tundur rrjetën në një ndeshje të fituar nga skuadra e tij.”
PERMIRESIM - Reali i Madridit mund të kualifikohet për në 1/8-t e finaleve, në rast se barazon në ndeshjen e fundit ndaj Marsejës, më 8 dhjetor në “Stade de Velodrom”. “Kemi kompletuar pjesën më të madhe të punës dhe tani duhet t’i japim dorën e fundit në Marsejë, - tha Higuain. - Nuk mund të mjaftohemi me barazimin, sepse duam vendin e parë në grup.” Në lidhje me kritikat për mungesën e spektaklit, sulmuesi tha: “Ne po përmirësohemi vazhdimisht dhe jemi në krye të veprimtarive ku marrim pjesë. Në ekip kanë ardhur shumë lojtarë të rinj dhe një trajner i ri dhe pas tre muajsh pune rëndësi ka vetëm rezultati. Spektakli do të vijë me kalimin e kohës.”
“SOLID” - Ndërkohë, shoku i skuadrës së Higuainit, portugezi Pepe, përgëzoi Zyrihun për paraqitjen dinjitoze në kryeqytetin spanjoll, pastaj nënvizoi se rezultati vlen më shumë se gjithçka. “E dinim që do të ishte e vështirë dhe Zyrihu bëri gjithçka për të na vënë në vështirësi. Ata e treguan në fushën e lojës vendosmërinë e tyre, - tha mbrojtësi. - Kësisoj, fitorja vlente mbi gjithçka, mbi spektaklin dhe mbi golat. Tani ka mbetur edhe një ndeshje për të fituar, sepse synojmë ta mbyllim grupin në vendin e parë. Loja jonë mund të mos jetë spektakolare, por tani jemi në një pikë të sezonit ku tri pikët vlejnë mbi gjithçka.

Kristiano Ronaldo, gati ndaj Barcelonës

Portugezi i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, e ka drejtuar vëmendjen e tij te ndeshja e së dielës ndaj Barcelonës, pasi luajti ndaj Zyrihut, ndeshjen e tij të parë në dy muajt e fundit. Futbollisti i blerë për 94 milionë euro nga Mançester Junajtid u aktivizua në minutën e 70-të të ndeshjes së fituar ndaj Zyrihut, duke i dhënë fund një mungese 56-ditore. Numri 9 i Realit pati edhe një mundësi për të shënuar, kur depërtoi në zonë, por goditja e tij me të majtën u ndal nga portieri Xhoni Leoni. Ronaldo, i cili vetëm të premten e kaluar ka filluar të stërvitet me intesitet të plotë, tha për një televizion spanjoll se synon të jetë titullar në “El Klasikon” e “Kamp Nou”-t. “Jam i lodhur edhe pse luajta më pak se gjysmë ore, por është normale, sepse nuk jam në 100% të formës.
Gjithsesi, po përmirësohem dita-ditës dhe jam i bindur se do të rikthehem të shënoj gola dhe ta ndihmoj Realin të fitojë.” Ronaldo ka luajtur vetëm shtatë ndeshje në kampionat, por ka shënuar plot nëntë gola. “Jam përshtatur shumë mirë dhe e ndiej se mund të jap maksimumin. Dua të jem në “Kamp Nou”, sepse e ndiej veten në gjendje për të luajtur ndaj Barçës. Gjithsesi, i takon trajnerit të vendosë. Skuadra, edhe pa mua, kryeson në Champions dhe kampionat.”

Pedro Rodrigez bëhet “Mesi” i Spanjës

Flitet për grumbullim në përfaqësuese, ose për “Mesin” e Spanjës! Pas leksionit që Barcelona i dha Interit, elozhet kanë mbuluar Pedro Rodrigo Ledezmën, që deri në qershorin e kaluar njihet thjesht si “Pedrito”. 22-vjeçari nga Ishujt Kanarie, vuri në vështirësi serioze Maikonin e fuqishëm, duke shënuar golin e dhjetë personal në këtë sezon dhe duke u rritur, ashtu si mbiemri i tij. Udhëheqësi shpirtëror, Pep Guardiola! Pedro shpërtheu që në hapat e parë të karrierës së tij me fanellën e Tenerifes dhe kjo bëri që vëzhguesit katalanas të interesoheshin për të, duke e marrë në Barcelonë në vitin 2004. Tre vjet më parë ndodhi takimi vendimtar.
Pep Guardiola merr drejtimin e skuadrës “Barcelona B”, e cila kishte rënë në kategorinë e katërt dhe sheh atje një djalë të edukuar, të heshur, me një driblim mbresëlënës dhe nuhatje për golin. Me të, Pep fiton kampionatin dhe e merr me vete te skuadra e parë e Barcelonës. Përpara se të takohej dhe të fillonte punën me Guardiolën, Pedro kishte fituar dy kampionate dhe dy Kupa Spanje me të rinjtë e Barcelonës. Në janar të 2008-s, Rajkard i dha mundësinë të debutonte në kampionat, duke luajtur për tre minuta në vend të Samuel Etosë.
Në vitin e kaluar Pedro nuk ka luajtur shumë në krahasim me Bojan Kërkiçin, i cili ishte pjesë e ekipit të parë, kur ai dhe Serxhio Buskets luanin në kategorinë e katërt. Në skuadrën që fitoi tre trofetë e mundshëm në sezonin e kaluar, Pedro luajti 13-të ndeshje në të gjitha veprimtaritë. Pjesën tjetër të sezonit e kaloi në kategorinë e tretë, te “Barcelona B”, që aktualisht drejtohet nga Luis Enrike.
Përkushtimi i tij, bëri që Guardiola ta vlerësojë, duke e aktivizuar për pak minuta në vend të Andres Injestës, në finalen e Championsit të fituar në Romë ndaj Mançesterit. Kjo i dha mundësinë djaloshit të merrte medaljen e kampionit të Europës, të cilës i shtoi shumë shpejt atë të fituesit të Superkupës së Europës, ku shënoi golin vendimtar ndaj Shakhtjor Donjeckut. Pasi luajti titullar edhe në fitoren e Superkupës së Spanjës, në muajin gusht, klubi katalanas i ofroi kontratën e parë profesioniste me klauzolë prishjeje, plot 75 milionë euro. Pedro ka shënuar në të gjitha veprimtaritë e mundshme me fanellën e Barcelonës, edhe pse nuk i kalon 20 ndeshjet me katalanasit. Spanja ka gjetur një tjetër Mesi…