JUVELIVE

28 tetor 2009

Xhon Elkan: Nuk kënaqem me vendin e dytë

Trashëgimtari i Anjelit ka paralajmëruar trajnerin Ferrara dhe skuadrën e Juventusit

“Ajo që presim tani janë fitoret. Nuk do të isha dakord me një vend të dytë në kampionat dhe me një çerekfinale në Champions Ligë”. Me këto fjalë, Xhon Elkan, ka paralajmëruar trajnerin Çiro Ferrara dhe Juventusin se nuk do të kënaqet me një sezon të mirë, por pa trofe. Në lidhje me ndryshimet që kanë ndodhur në drejtimin e klubit: “Blank mund ta drejtojë mirë klubin, - ka vazhduar trashëgimtari i Anjelit.

- Ishte e rëndësishme të sqarohej mirë se kush komandonte”. Fjalë që mund të tingëllojnë keq kundrejt presidentit të mëparshëm të bardhezinjve, Xhiovani Koboli Xhilji. Por Elkan sqaron menjëherë gjithçka: “Xhiovani është një njeri, të cilin e respektoj shumë dhe ka bërë një punë shumë të mirë. Midis misioneve të tij ishte edhe ai i përshtatjes së Blankut me ambientin italian . Dhe sot Blank është gati të punojë vetëm.

Ka shumë njohuri në botën e sportit. Tri detyrat kryesore të klubit mbulohen nga ai? Juventusi do të vazhdojë të përforcohet. Nuk kam menduar për asnjë moment të bëhem president i klubit. Marrëdhënia ime me Juven është e fortë, por si tifoz”. Kanë qenë të shumta mendimet edhe mbi lojtarët e ekipit: “Del Piero është një lojtar i madh dhe do t’i japë shumë skuadrës, për momentin mungesa e tij ndihet shumë. Diego ka qenë një blerje e madhe, do t’i kishte pëlqyer shumë edhe gjyshit tim Xhiani, edhe pse ky është një kampionat i vështirë dhe ai duhet akoma të gjejë hapësirën e tij. Ferrara? Kemi besim total tek ai dhe tek skuadra që kemi krijuar.

Por, në këtë moment, nuk po argëtohem. Lojtarët duhet akoma të mësojnë lojën e njëri-tjetrit”. Përveç një thumbimi elegant ndaj Mourinjos (”Simpatik? Besoj se bën gjithçka për të mos qenë i tillë. Dhe të thuash se është simpatik nuk do të ishte e drejtë për të”), Xhon Elkan i ka dërguar një mesazh të fortë të gjithë “nostalgjikëve” të Juventusit të mëparshëm, atyre pak tifozëve, që vazhdojnë të “qajnë” Moxhin: “Realiteti është se nostalgjikët në përgjithësi më bezdisin. Nuk shërben për asgjë të shikosh mbrapa, të qash për të kaluarën. Kryesisht mua më intereson vetëm e ardhmja”, ka përfunduar Xhon Elkan.