29 tetor 2009

Valencia mund të shesë Vilën dhe Silvën

Klubi spanjoll ka borxhe financiare, që mund të sjellin largimin e dy “yjeve”
Klubi i Valencias ka aluduar se mund t’i shesë dy asetet e tij të çmuar, David Vila dhe David Silva, pasi flitet se klubi i Mançester Junajtid ka treguar sërish interesim për ta. Skuadra spanjolle po vuan nga problemet financiare, por ia doli mbanë të mbante larg shumë blerës në muajt e verës. Real Madridi dhe Barcelona janë duke e monitoruar situatën nga afër, por janë Junajtid dhe Liverpul skuadrat që kanë ofruar para edhe në të shkuarën. Rafa Benitez ka kohë që është admirues i Silvës, por me problemet financiare që ka Liverpuli, kjo blerje duket larg. Sër Aleks Fergusoni me 80 milionë stërlinat e siguruara nga shitja e Kristiano Ronaldos nuk e ka këtë problem dhe është i gatshëm të paguajë në kesh. Nëse në të shkuarën Fergusoni ka thënë se është i kënaqur me skuadrën që ka, ka zëra që thonë se ai është gati të derdhë paratë në muajin janar.
Vila ka deklaruar më parë që do të donte të luante në Spanjë nëse largohet nga Valencia, ndërsa Silva ka pohuar se në verë ka qenë objekt i një oferte të madhe nga Anglia. Nuk dihet nëse do të jetë Liverpuli apo Junajtid, klubi që do të ofrojë më shumë në janar, por drejtuesit e Valencias janë të hapur për biznes. Drejtori sportiv i tyre, Fernando Gomez, ka thënë: “Nëse vjen momenti që nuk mund të shkojmë më tej, sigurisht që do të shesim lojtarë dhe Vila dhe Silva do të shiten. Ne bëmë përpjekje të mëdha në verë për t’i mbajtur, por nëse situata ekonomike vazhdon të jetë e tillë, gjërat komplikohen. Ishte sukses t’i mbanim pasi na u ofruan shumë para.” Gomez megjithatë nuk ka pohuar që i ka ardhur ndonjë ofertë, duke thënë: “Nuk kam marrë ndonjë ofertë zyrtare për Vilën ose Silvën. Di vetëm atë që kanë shkruar gazetat.”