Menaxheri i Serxhio Agueros nuk ka mohuar mundësinë e transferimit të klientit të tij në muajin janar. Aguero ka premtuar besnikëri ndaj Atletikos së Madridit që kur shkoi te ai ekip në vitin 2006 nga Independiente. Argjentinasi 21-vjeçar flitet se mund të kalojë në Angli verën që vjen, por janë aktivizuar zërat se Çelsi synon ta blejë që tani, në merkaton e janarit. Çelsi ka mbi kokë rrezikun e ndalimit të futjes në merkato, por ata shpresojnë se do ta evitojnë aktivizimin e ndëshkimit para merkatos së janarit 2010.Atletiko ka konfirmuar se ka refuzuar oferta të mëdha për Agueron në verë, duke shtuar se lojtari ka qenë shumë i gëzuar për qëndrimin. Por ecuria e dobët e Atletikos këtë sezon mund të bëjë që në “Vicente Calderon” gjëra të ndryshojnë. “Serxhio te Çelsi në janar? Nuk e di, është një pyetje e vështirë”, ka thënë menaxheri i Agueros, Hose Segui. “E vetmja gjë që mund të them është se për momentin unë nuk di gjë, madje nuk kam në plan ndonjë takim me drejtuesit e klubit të Atletikos.”