JUVELIVE

28 tetor 2009

Ronaldo: S’do të blija askënd nga Barça

Portugezi i Realit: Katalanasit kanë “yje”, por nuk janë të përshtatshëm për ne
Kristiano Ronaldo ka deklaruar se nuk do të blinte asnjë nga futbollistët e Barcelonës, nëse do të ishte drejtues i Realit të Madridit dhe do t’i jepej mundësia për të marrë dikë nga kampionët e Europës. Portugezi mendon se askush prej lojtarëve të Barçës, as Lionel Mesi, nuk do t’i ndihmonte “merengesit” të bëheshin më të fortë.
Reali i Madridit shpenzoi 250 milionë euro për të ndërtuar një ekip në gjendje të konkurrojë me Barcelonën dhe sipas Ronaldos drejtuesit kanë zgjedhur lojtarët e duhur. “Nuk e kam aspak frikë Barcelonën dhe jam i bindur se ne kemi një ekip të fortë aq sa duhet për t’i sfiduar. Nuk kemi nevojë për asnjë lojtar të Barçës, që të bëhemi ekipi më i mirë.
S’do të blija askënd prej tyre.” Ronaldo, aktualisht i dëmtuar, shpreson të rikthehet në ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Milanit në Ligën e Kampioneve. “Për momentin ndihem më mirë se kurrë, por duhet të tregohem i kujdesshëm, sepse një dëmtim tjetër mund të ishte fatal. Nëse gjithçka po shkon sipas planeve mendoj se do të jem gati për të luajtur në ndeshjen e ardhshme të Championsit. Unë kujdesem për veten, kam një jetë normale, sepse bëj një profesion, në të cilin gjendja fizike është thelbësore. Detyra ime është të luaj futboll dhe më duhet të siguroj kushtet më të mira për ta bërë një punë të tillë.”